Shqiponja u “ngrit në fluturim” dhe kjo ka sjellë një debat mes kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama. Ditën e shtunë u hoq simboli i “Shqiponjës” që ndodhej tek rreth-rrotullimi pranë doganës së Tiranës.
U aludua se “Shqiponja” u hoq pasi do të fillonin punimet për rrugën që do të ndërtohet si vazhdim i Unazës së Re të kryeqytetit. Por këtë të diel Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale duke sqaruar edhe arsyet. Rama e cilëson simbolin e kësaj “shqiponje” si shenjë të vulgaritetit të ngritur në një piedestal.
Ai thotë se “shqiponja” e bënte hyrjen e Tiranës të dukej gjatë natës si skena të librave horror, duke përmendur këtu një nga autorët më të shquar të librave thriller dhe horror. Nga ana tjetër kryedemokrati Luzlim Basha në një postim në Twitter shkruan se Rama ka zgjedhur si simbol hashashin, ndaj shqiponja kombëtare i duket vulgaritet
“Kur zgjedh për simbol hashashin, Shqiponja Kombëtare të duket vulgaritet. Për Ramën çfarë nuk sjell pará në xhepat e tij dhe oligarkëve është pa vlerë, ndaj shkatërron Shqiponjën e 100 Vjetorit të Pavarësisë, për miliona euro që i jep një kompanie fantazëm dhe nën sekuestro”, shkruan Basha.
Simboli i “shqiponjës” u vendos në hyrje të Tiranës në vitin 2012 në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.