Jahir Bejta, kryetar i organizatës për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, thotë se janë hartuar rreth 1 mijë padi të cilat janë refuzuar nga gjykatat, por që pas ankesave 400 sosh ndodhen për shqyrtim në Gjykatën e Apelit, 100 në Gjykatën Supreme dhe 50 në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm serbët e Leqinës së Skenderajt kërkojnë 500 mijë euro kompensim për dëme të luftës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Rreth 1 mijë kërkesëpadi janë hartuar nga organizata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, selia e së cilës është në Skenderaj dhe janë dorëzuar nëpër gjykata, pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës, por të gjitha ato janë refuzuar nga gjykatat me arsyetimin se nuk mund të paditet një shtet tjetër.
Jahir Bejta, kryetar i OJQ-së “Ngritja e Zërit”, tha se shpresën te paditësit e ka kthyer kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka premtuar se do t’i përkrahë të gjitha kërkesat e qytetarëve sa i përket kompensimit të dëmeve të luftës.
Bejta tha se kishte kërkuar një takim me kryeministrin e vendit, por që ky takim nuk ishte realizuar, pasi që siç tha Bejta, kryeministri nuk është njoftuar për kërkesën.