hqiptarët e Mitrovicës së Veriut kanë kërkuar revitalizimin e urës së Ibrit dhe të rrugës “Mbreti Petër I” përtej urës, për të cilin projekt janë investuar mbi 3 milionë euro.
Bashkim Cimili, zëvendëskryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, i tha “Zërit” se punët në revitalizimin e urës dhe të zonës së këmbësorëve në pjesën veriore teknikisht kanë përfunduar dhe se nuk ka më asnjë pengesë që ura të lëshohet për qarkullim të automjeteve dhe të lëvizjes së njerëzve.
“Mbajtja mbyllur e urës për qarkullim të automjeteve është pengesë e madhe për lëvizje të lirë të qytetarëve nga pjesa jugore në veri dhe anasjelltas. Punët kanë përfunduar dhe tashmë nuk ka asnjë problem që ajo të hapet”.
“Që në fillim të vitit 2017 Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, në prani edhe të përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane dhe të Zyrës së BE-së në Prishtinë kanë bërë një marrëveshje për hapjen e urës, e cila është përkrahur unanimisht edhe në seancën e Kuvendit të Mitrovicës së Veriut më 4 shkurt 2017”.
“Të gjithë asamblistët, shqiptarë e serbë, e kanë përkrahur marrëveshjen, por prej atëherë asgjë nuk ka lëvizur dhe për pasojë ura akoma mbahet e mbyllur”, i ka thënë “Zërit” Cimil.