Shqiptarët janë të ndarë – sepse s’duan të bashkohen!

Prishtinë | 27 Nën 2022 | 13:31 | Nga Kimete Berisha

Sa shumë u deshëm – e askush s’e diti!

Në Kuvendin e Shqipërisë, u dha shfaqja ‘Utopia e shqiponjave’, që flet për një dashuri ideale mes shqiptarëve,
e cila kurrë nuk funksion, sepse njeriu është mëkatar dhe mëkatari s’mund ta ketë dashurinë ideale.

Por, kjo dashuri i mbijetoi shekullit, sepse askush (veç ndonjë pasaniku që ka dashuri të tepërt të derdh kot), nuk e ndjen këtë dashuri,
përveç në festa, e kemi dashuri për rojë (jo për bajë), e nxjerrim nga vitrina për t’i shërbyer mysafirët me këtë dashuri, vetëm solemnisht,
si gotat e kristalit që i ruajmë në raftin e fundit të vitrinës, që më përpara thyhen sesa përdoren….!

Deputetët me kravata të kuqe (të gjithë të pasur), e përdorin gjakun e shqiptarëve për t’u dukur të zjarrtë, se kur flet për gjak të skuqen faqet.

Kryeministri i Kosovës e hoqi kravatën e kuqe me të cilën hyri në Kuvend, por e vuri të kaftë kur foli për kombin dhe flamurin.
Dashuria e tij për kombin, është ngjyrë kafe, si toka, si dhéu…me disa pika ngjyrë dukati që dukeshin si kallinj gruri të mbjellur në kravatën e tij.

Ngjyra e tokës e shpreh ndjenjen e mërzisë, izolimit dhe vetmisë pambarim, shkaku i ndarjes së shqiptarëve.
Por e mira e mirës është se Toka e qet fshehtësinë….që dikush e ka fshehur në të.

Shqiptarët janë të ndarë – sepse s’duan të bashkohen.
Nëse bashkohen, duhet të fshihen dhe shlyhen nga librat të gjitha vjershat që na ndajnë.
Kultura jonë është ndarja.
Nëse bashkohemi – fshihet e kaluara, mbesim pa histori.

Kryeministri i Kosovës ishte shumë i koncentruar që të mos duket patriot:

  • Se Kosova e ka adet
    Nga një luftë e bën për vjet.

Kryeministri Edi Rama e ka zanat: nuk i kombinon fjalët me ngjyrat e teshave….prandaj për të folur për gjak, vë kravatë pembe, që më bëri nostalgiike për një fustan të fëmijërisë…dhe kukullën historike që e pata harruar gjithë natën në legen me ujë…

Edi Rama tha se ne jemi të ndarë, por me zemër të bashkuar.

-Zemra vdes, kështu që bashkimi ynë nuk është si shpirti i pavdekshëm, por është si zemra që plas nga mërzia.

Dje pasdite e kam zbuluar shkaktarin e ndarjes:

  • janë shpikur miliona arsye psikologjike dhe letrare pse ndahen njerëzit, por gjithmonë, ama gjithmonë ekziston vetëm dhe ekskluzivisht një arsye:
  • Arsya e vetme pse ndahen njerëzit është se nuk duhen.

Kurrë nuk ka pasur arsye tjera. Kurrë s’do të ketë.

  • Neve na lidh mes vete dashuria kombëtare – por na ndan rampa e Kastratit;
  • Neve na lidh flamuri kuq e zi –
    por na ndajnë ushqimet serbe;
  • Kosova e ka nanë Shqipërinë – ama miliardat ia jep Serbisë;
    …abetaren e përbashkët po (për nevoja shpirtërore) – ama Kosova e ushqen trupin (që të rrah zemra), me ushqim serb.

Dashuria e Edi Ramës është edhe më joserioze se e imja, sepse Edi Rama gjithkujt ia shpreh dashurinë – ia shpreh gjithkujt dashurinë dhe e shpreh lehtë, sepse nuk e ndjen.

Shfaqja ishte monotone, mizanskena primitive, deputetët dukeshin të ulur në prehër të njëri-tjetrit, në pritje – sikur u ka ikur aeroplani, bashkë me shqiponjat.

Dashuria kombëtare dukej e lodhur, e mërzitshme dhe pa ardhmëri.
Por më shumë dukej karikaturë.
Disa karikatura që s’kanë dashuri krye shpirti – prandaj edhe për së vdekuri i përdorin heronjtë e së kaluarën.
Asnjë patriot modern që të frymëzon.

Të gjithë po ikin nga kjo Dashuri.

  • Pas shfaqjes deputetët shkuan për të hëngër mish.

P.S. Dje e kam blerë një mini-fund kuq e zi (4.13 centë), që do ta vesh nesër (më 28 nëntor), për t’u dukur patriote e rafinuar, pa qëllime territoriale – në kërkim të një Dashurie të Re.

Të ngjashme