Një qytetar i Shqipërisë është arrestuar në Maqedoninë e Veriut pasi është kapur me drogë me vlerë prej 350 mijë euro.
Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut njofton se qytetari i Shqipërisë është kapur mbrëmjen e djeshme në fshatin Orovsnik të Komunës së Debarcit.
“Është privuar nga liria 38-vjeçari M.P. nga Shqipëria”, njoftojnë mes tjerash nga MPB.
Autoritetet thonë se aksioni policor është rezultat i ndjekjes së aktiviteteve të disa shtetasve të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, raporton abcnews.al.
“Gjatë kontrollit të makinës “Citroen Berlingo” me targa të Shqipërisë, që po drejtohej nga M.P., në pjesën e pasme të makinës janë gjetur dhe sekuestruar 100 pako me marihuanë, me peshë prej 100 kg, që arrin vlerën e 350.000 eurove”, thuhet në njoftimin e MPB-së.