Shqiptari Soner Ozbilen dhe “memleketi” i tij, Kosova

Prishtinë | 04 Pri 2022 | 00:18 | Nga Halil Matoshi

Në kohë krizash e përplasjës, shpërngulja është shpëtim, kurse humbja identitare konsiderohet si mallkim, pa e çarë kokën, se të gjitha kombet e botës janë hem emigrantë hem rezidentë, vërtet të gjitha kombet moderne janë artificiale…

1.
‘Memleket’ i turqishtës është atdheu i shqipes (homeland), ndërsa identitetet janë të shumëfishta dhe të shndërrueshme.
Ky është fakti.
Identiteti nuk është aq i ngurtë (statik) dhe vetëm me bazë etnike, sa u duket interpretuesve ideologjikë (konceptet nacionalsocialiste dhe staliniste identitare); Identiteti shndërrohet e këmbehet, lihet e mirret, humbet e rifitohet. Teoritë moderne e përcaktojnë identitetin në bazë të normave me të cilat njeriu jeton në një vend, rendi kushtetues dhe simbolik i atij shteti (një Kushtetute dhe një ligji që u bindet një bashkësi njerëzore) para se gjuha që flet, para se ideja e trollit, kulturës e historisë, të supozuar si të përbashkët.

2.
Teoriku identitar Amin Malouf është një i krishtër që flet arabishten. Arab i krishtër, libian.
Ai shprehet se para se të bëhesh një i ardhur, duhet të jesh një i ikur; para se të mbërrish në një vend, duhet të lësh një tjetër; dhe ndjenjat e njeriut ndaj tokës që ai ka lënë nuk janë asnjëherë të thjeshta…

3.
Besim Dina, autori i Oxygen (të shtunën më 2 prill, 2022) e pati një mysafir të veçantë, kantautor, artist i këngës, tashma edhe dygjuhëshe.
Personazhi i tij këtë herë ishte këngëtari turk dhe drejtor orkestre në TRT (televizioni shtetëror turk), me emër e mbiemër tipik turk.
Soner Ozbilen.
Në këtë emision, nostalgjinë e mallin deri në lot, për atdheun – Dina e “zbuste” përmes një humori tipik kosovar.

4.
Familja e Soner Ozbilen ishte me origjinë nga Gadimja e Lypjanit, dalë n’Turqi më 1935.
Soner, i lindur në Turqi tash i ka kaluar të 70at.
Ai e ka rigjetë paqen me origjinën porse edhe me normën. Ndjehet mirë brenda dyja identiteteve.
Është një turk i natyralizuar në vendlindje e në marrdhënie me rrethin e shoqërinë, ‘turk administrativ” dhe njikohësisht “shqiptar origjinar”/ i kujtesës.
Ekzaltohet me vet qenësinë shqiptare, e zani i tij melankolik sikur e vërteton këtë: “…dhe ndjenjat e njeriut ndaj tokës që ai ka lënë, nuk janë asnjëherë të thjeshta” (Amin Malouf);
Porse identiteti i tij është ai i cili i jep prestigjin familjar, shoqëror e profesional.
Kombi modern turk, i dalë nga shtrati perandorak, është komb shumëetnik, ngjashëm me atë helvetik, malajzian apo amerikan, australian e kanadez, por unik përreth idesë së shtetit modern turk të Kemal Ataturkut.
Ashiqare, në postmodernë, shteti kombëtar i përthith fuqitë e kombit, i cili, si konstrukt sociologjik po del nga historia.

5.
“Jam shqyptar” – e nisi Soner bisedën. Dhe me një shqipe korrekte (gegnishte të gërshetueme me fjalë turke të ngulituna në arealin e shqipes) ai po i jepte shumë dashuri ‘memleçetit’ të prindëve të tij, Kosovës.
Raporti i tij me atdheun e të parëve është i ndërlikuar, ai vjen nga kujtimet e fëmijërisë, nga nëna, tregimet për atdheun që mbeti prapa!?
“Nana qante sa herë dikush përmendëte Kosovën…” – thotë dhe intenca e tij për me e ndi vetën shqiptar është e toneve dramatike: Siç thotë Malouf: “para se të bëhesh një i ardhur. duhet të jesh një i ikur”!
Dhe ai, njeriu i ikur gjuthmonë shkon p’ej sh’pie!

6.
Hamendësohet se origjinë shqiptare kanë rreth tre milionë turq të natyralizuar, përderisa rreth një milionë flasin edhe sot shqip.

7.
Shpërngulja e shqiptarëve në qytetet e ndryshme të Turqisë ka qenë veçanërisht e theksuar e masive në vitet 1913-1937, 1937-1941 dhe 1949-1970.
Gjatë këtyre tre valë shpërnguljesh, thuhet se në Turqi janë vendosur ma shumë se një milion shqiptarë nga hapësirat e ish Jugosllavisë.
Më 11 korrik 1938 është nënshkruar Marrëveshja midis Jugosllavisë mbretërore dhe Turqisë, sipas së cilës 40 mijë familje (rreth 200 mijë njerëz) duhej të emigronin nga vendet ku jetonin shqiptarët që administroheshin nga Jugosllavia.
Dhe kjo marrëveshje është riaktualizuar më 3.03, 1953, dhe është cilësuar si ‘xhentelmene’ nga Tito dhe Kyprili (paradoksalusht një turk administrativ poashtu, që duhet të ketë origjinën nga Qyprillinjtë shqiptarë ballkanas) dhe deri më 1965 në Turqi janë shpërngulur 452.371 shqiptarë nga hapësirat e ish Jugosllavisë.

7.
Në romanin “Identiteti” të Milan Kunderas është një dialog mes dy bashkëshortëve, që ma mirë se çdo teori shpreh nevojën për aleanca ndërmjet popujve, që dikur ishin armiqësor ndaj njani-tjetrit.
“Si lind miqësia?” Jean-Marc pyet Chantal. “Sigurisht si një aleancë kundër fatkeqësisë”, vijon ai. Por “ndoshta nuk ka më nevojë jetike për një aleancë të tillë”. “Do të ketë gjithmonë armiq,” ribashkohet Chantal. “Po, por ato janë të padukshme dhe anonime. Burokraci, ligje,” përgjigjet Jean-Marc. “Miqësia nuk mund të provohet më me ndonjë shfrytëzim.” Ai përfundon: “Ne e kalojmë jetën tonë pa rreziqe të mëdha, por edhe pa miqësi”.
Shqiptarët kanë hy në aleancë me turqit, kundër fatkeqësisë dhe miqësinë me ta e përjetojnë jo si virtyt e ndjenjë, por në një mënyrë mënyrë tjetër: si byrokraci e ligje, pra si identitet të padukshëm.
Ozbilen, ky është ai turku administeativ, e shqiptari i kujtesës (origjinës);

8.
Tregimi për Soner Ozbilen është dëshmia e shkallës ma kërcistëse të shpërshndërrimit identitar.
Personazhi i Kunderas, Jean-Mark thotë: “Ne e kalojmë jetën tonë pa rreziqe të mëdha, por edhe pa miqësi”.
Të bekuar për shpëtimin, të mallkuar për humbjen.

Të ngjashme