Edhe dy muaj e ca, e do mbushën 21 vjet qëkur forcat ajrore të NATO-së, filluan aksionin humanitar në këtë pjesë të Ballkanit…
Edhe më pak se dy muaj, mbushën 9 vite nga shpallja e Kosovës – shtet!
Aq shumë e deshëm lirinë, ama atë të vërtetën, sa që harruam se liria ndërtohet pas luftës me punë të ndershme që nga më i madhi e deri te ai më i vogli!
Duket se në shumë segmente dështuam, thuase na u morën mendët nga gëzimi i madh dhe nga dashuria për atdhe filluam ta duam vetëveten më shumë, kush më shumë e kush më pak…
Dhe, e vërtetë që do ta dëshmojë historia se dashuria për liri e atdhe dalëngadalë e humbi qëllimin dhe kahen e filluar në kohë shumë të vështira…Demokracia, i thënçin demokraci, dalëngadalë humbi kuptimin dhe u shndërrua në diçka që e kthye në zhgënjim…
U mbajtën zgjedhjet më shpesh se kudo tjetër (!), u lavdëruam pa asnjë arsye se kjo na qenka shenj e mirë e demokracisë…
Themeluam parti, plotë gojën pro perëndimor e pro amerikan po se po, por rrallë e ndoqëm modelin e demokracisë së tyre, ballkanas ishim, madje shqiptarë, që shekuj kaluam nën sundimin e të huajit….Gjëra që dihen!
Gjëra që dihen por si t’ iu ndalet hovi: Koalicione parazgjedhore, aso pas zgjedhore, premtime plotë deri në maje të malit! Por, pas një, 6 muajve, ose pas 45 ditëve, natën ose ditën, kjo s’ ka rëndësi, koalicioni shkrihet si bora para diellit, dhe interesant krejt kjo në emër të lirisë, të atdheut, të mirëqenies së këtij populli…
Dhe, u mësuam me qeveri në detyrë, kryeministër në ikje, president u.d….Hiq më mirë si ka punët as “ Mëma Shypni”, kur një ministër i jashtëm nuk e akredituan dhe ngeli i shkreti në detyrë deri sa nuk dha dorëheqje e me gjithë
atë zhgënjim të kthehet në Kosovë, por nuk dihet se ku dhe si, por në Kosovë jemi mbushur me u.d. e në ikje…
Nuk bëhet shteti-shtet, me parti që më shumë duan vetë veten se sa popullin dhe interesat e vendit! E dinë por nuk duan të punojnë në këtë drejtim…Dhe, pajtohen që të vazhdojnë me u.d. ose në ikje, deri sa po munden…
Kjo ikja si folje tregon mjaft…Me ik!
Njëmend a duhet me ikë dikush që nuk din, ose din por punon për interesat e ngushta të mëhallës, të klanit ose të feudeve?!
Sepse, na ka ardhur durimi në maj të hundës!
Kjo pranverë më mban shpresa do t i sqarojë njëherë e mirë këto brenga e këto shpresa të njeriut të Kosovës, por edhe të “Mëmës Shypni”…
Se, populli nga pakënaqësia ka filluar të ik, edhe ata matanë Drinit, e edhe këta këtej Drinit (sipas D.Agollit të madh)… Atëherë si bëhet Atdhe pa popull?!
Ma thoni se nëse gjatë historisë së njerëzimit ka pasur ndonjëherë një kësi vendi në rruzullin tokësor…