Në Gjykatën e Apelit është zhvilluar seanca për shqyrtimin e ankesave të mbrojtjes së vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi. Seanca u fokusua në pretendimet e mbrojtësve për shkelje procedurale dhe ligjore, mungesë të arsyetimit në aktgjykim, dhe mosvërtetimin e bashkëkryerjes dhe marrëveshjes paraprake nga ana e të akuzuarve, raporton Ekonomia Online.
Avokatët e mbrojtjes kërkuan rigjykim ose lirimin e të akuzuarve, duke argumentuar se gjykata e shkallës së parë ka trajtuar çështje jorelevante dhe ka marrë rolin e prokurorisë, ndërsa pala e dëmtuar mbrojti vendimin dhe rolet e ndara të të akuzuarve në krim, duke theksuar sofistikimin e vrasjes dhe rëndësinë e dënimit të përjetshëm.
Avokati i Jeton Vllasaliut, Florent Latifaj, tha se ankesat e tyre janë të bazuara në shkelje esenciale të procedurës penale dhe ligjit penal. Ai theksoi se aktgjykimit i mungon arsyetimi, elaborimi i fakteve, provave e dëshmive, dhe se gjykata është marrë me çështje jorelevante duke marrë rolin e prokurorisë.
Sipas tij, aktgjykimi nuk paraqet fakte të qarta dhe të plota, por vetëm një përshkrim të zgjeruar të aktakuzës dhe deklaratave të dëshmitarëve.
“Ne kemi paraqitur ankesë kundrejt aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Konsideroj se në rastin konkret është sjellë aktgjykim me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të ligjit penal. Si rezultat, vendimi mbi dënimin është joligjor. Aktgjykimit i mungon arsyetimi, elaborimi i fakteve, provave e dëshmive të shqyrtuara gjatë gjykimit. Gjykata është marrë me çështje krejtësisht jorelevante dhe ka marrë rolin më shumë të prokurorisë. Ka mungesa të mëdha në aktgjykim, nuk ka paraqitur fakte të qarta e të plota, por vetëm një përshkrim të zgjeruar të aktakuzës dhe deklaratave të dëshmitarëve.”
Avokatja e Nexhat Vllasaliut, Kosovare Kelmendi, tha se pozicioni i klientit të saj është i tejkaluar nga aktgjykimi i shkallës së parë.
“Pozicioni i të akuzuarit Nexhat Vllasaliu në këtë çështje penale, sipas akuzës dhe aktgjykimit, është krejtësisht i tejkaluar. Pa dyshim që ky gjykim është i përfshirë në shkelje esenciale. Vetëm dy faqe përmbajnë arsyetim dhe analizë. Nuk kemi një analizë të mirëfilltë të Gjykatës së shkallës së parë në një çështje aq serioze ku bëhet fjalë për një krim në bashkëkryerje. Prokuroria është marrë me sajesa e trillime për ta përforcuar një aktakuzë të pambështetur në prova. Nuk është vërtetuar as marrëveshja paraprake e as bashkëkryerja në veprimet e Nexhat Vllasaliut. Prandaj kërkoj që ai të lirohet nga akuza për veprën penale për të cilën është dënuar, ose çështja të kthehet në rigjykim.”
Avokati Shemsedin Piraj shpjegoi arsyet pse kërkoi largimin e trupit gjykues, duke aluduar në pasoja procesuale dhe të drejtën e një gjykimi të paanshëm.
Nga pala e dëmtuar, avokati Besnik Berisha mbrojti aktgjykimin dhe theksoi se provat tregojnë qartë rolet e të akuzuarve. Ai tha se ngulfatja e Bedri Rexhepit është e dokumentuar në ekspertizë dhe se Jetoni vetë e pranon veprimin.
“A kishte vetë vrasje siç po pretendojnë këta apo kishte vrasje dinake të Bedri Rexhepit, ekspertiza thotë që është ngulfatur. Thonë nuk dihet vendi se kur ka ndodhur vrasja, nuk dihet se kur ka ndodhur vrasja, si nuk dihet kur vetë ata e pranon Jetoni. E thotë, ‘i qofsh falë kësaj gjëme’ i thotë Nexhati se ‘krejt shtëpinë e kisha kallë’. Gjatë kohës sa nga kati i tretë përpiqeshin ta nxirrnin kufomën e Bedri Rexhepit jashtë e ja lidhën me qese të zezë. Kur i dëgjoj ankesat e kam vështirë me kuptuar se a po pretendohet që krimi nuk ka ekzistuar, a po pretendohet se këta nuk e kanë kryer, apo thjesht ka një shaka tjetër të Bedri Rexhepit”, tha ai.
Berisha shtoi se drejtuesi i zonës, që pretendon se ka luftuar për lirinë, u kujdes që të zhdukë trupin e viktimës.
“Ky komandant zone i ushtrisë që dikur pretendon që ka luftuar për lirinë e atij vendi, ky u kujdes që ta zhduk trupin e Bedri Rexhepit. Kështu thonë provat, kështu thotë vetë dëshmia e zotërisë së tij”, tha ai.
Ai gjithashtu theksoi se krimi nuk është në dilemë.
“Krimi që është kryer nuk është dilemë as më e vogël që është kryer në konakun e tyre, që është kryer në pabesi, që është kryer në dinakëri, që njësitë me elitë të policisë së Kosovës plot 18 muaj kanë punuar me zbuluar është e pa diskutueshme. Po pretendohet që të ketë marrëveshje ndërmjet dy vëllezërve që jetonin bashkë, që natën kur e ekzekutuan Bedri Rexhepin me çokollatë e festuan”, tha ai.
Berisha shtoi se rolet kanë qenë të ndara në këtë krim.
“Unë mendoj që arkitekti ka qenë Nexhati, ekzekutori ka qenë Jetoni. Arkitekti ka qenë Nexhati, sepse arkitekti ka shkuar me çelë themelin e ekzekutimit dhe ky e ka ekzekutuar në mënyrë me dinakëri të mundshme”, tha ai.
Ai theksoi edhe sofistikimin e krimit dhe përpjekjen për shfajësimin e njërit prej vëllezërve.
“Unë e kam vërejtur një thirrje në emra të atij që nuk flet, ne jemi të vendosur që ky krim është kryer në mënyrë të sofistikuar, është kryer me kohë të mjaftueshme për t’u planifikuar, është kryer në rrethana dhe në vend ku ishte i pafuqishëm një njeri përballë dy meteave kriminal në krye. Pretendimet e mbrojtësve të akuzuarve kanë një drejtim për të shfajësuar njëri, pra për ta shfajësuar Nexhatin”, tha ai.
“Sa i përket dënimit, është evidente që një djalë i ri është privuar nga jeta pa mundësi që t’i rrisë fëmijët, pa mundësi që ta jetojë martesën e tij, përderisa të akuzuarit janë bërë gjyshër e sot e shijojnë këtë teatër për t’u bërë. Nga qelitë e burgut të sigurisë së lartë, Bedri Rexhepi nuk e kishte këtë mundësi sepse ata për 8 mijë euro vendosën me ia marrë jetën, sepse pretenduan që i ka 30 mijë. Dënimi i përjetshëm është dënimi më i paktë përballë një krimi në pabesi, përballë një krimi në konakun e tij, përballë një krimi kur u ftua si mik e doli si një kufomë që u shëtit në male të mëdha të Vllasaliëve. Bedri Rexhepi nuk e ka këtë – e këta e kanë mundësinë me vazhdu jetën me taksa të qytetarëve; burgu i përjetshëm është i vetmi dënim që do të duhej të mbetej në fuqi për të dy të akuzuarit”, tha ai.
Trupi gjykues bëri të ditur se palët do të njoftohen me kohë për vendimin.
