Shqyrtohet hapja e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Bratislavë

Prishtinë | 13 Shk 2019 | 17:38 | Nga Ekonomia Online



Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim pune Shefin e ri të Zyrës së Sllovakisë në Prishtinë, z. Rastislav Kostilnik.

Në kuadër të këtij takimi, kryediplomati kosovar, Pacolli, fillimisht i ka shprehur mirëseardhje udhëheqësit të ri të Zyrës sllovake në Kosovë, duke e uruar në detyrën e re, ndërkohë që është diskutuar mbi çështje të interesit të përbashkët në mes dy shteteve.

Vazhdimi i mbështetjes së mëtutjeshme sllovake në rrugëtimin e integrimit euro-atlantik dhe ndërkombëtar të shtetit të ri, si dhe nevoja për përkrahjen e Sllovakisë për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës kanë zënë vend të veçantë gjatë diskutimeve të këtij takimi.

Më pas, numri dy i Qeverisë ka uruar diplomatin sllovak në Kosovë për marrjen e Presidencës së OSBE-së, duke shprehur bindjen që udhëheqja sllovake do të kontribuojë edhe më tutje në promovimin e dialogut dhe stabilitetit rajonal dhe ka kërkuar ndihmën e Sllovakisë, që Kosova të jetë së paku pjesë e takimeve formale, ku flitet për rajonin dhe që marrëdhëniet Kosovë – OSBE të avancojnë gradualisht me hapa konkret.

Hapja e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Bratislavë ka qenë një kërkesë tjetër e Ministrit të Jashtëm, Pacolli, gjë për të cilën do të zhvillohen konsultimet e afërta në mes dy vendeve për gjetjen e mundësisë. 





Fjalë Kryesore:

Të ngjashme