Shqyrtohet në Apel ankesa për dënimin e Hysni Hoxhës

Prishtinë | 14 Kor 2017 | 12:48 | Nga

Në Gjykatën e Apelit sot është zhvilluar seanca në lidhje me ankesën e avokatit të Hysni Hoxhës ndaj dënimit për keqpërdorim detyre të të mbrojturit të tij.

Gjykata e Apelit sot shqyrtoi kërkesën e Tahir Rrecajt, avokatit të Hysni Hoxhës, ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Rrecaj ishte ankuar në Gjykatën e Apelit pas dënimit të Hysni Hoxhës nga Gjykata Themelore në Prishtinë për keqpërdorim detyre me tre vjet burg dhe 3 vjet mosushtrim të funksioneve publike.

Rrecaj tha për KALLXO.com tha se ndaj këtij vendimi është ankuar mbi të gjitha bazat e mundshme sepse beson se vendimi i Gjykatës Themelore nuk ka qenë i drejtë.

Avokati i Hysni Hoxhës tha se pret që Gjykata e Apelit ta anulojë vendimin e themelores dhe të vendosë në favor të të mbrojturit të tij.

Hysni Hoxha akuzohej se si kryetar i OShP-së nuk shqyrtoi ankesat e dy kompanive për një tender të Operatorit të Transmisionit, Sistemit dhe Tregut më 3 tetor 2014 dhe 9 tetor 2014 në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren e Punës së OShP-së, duke i vlerësuar ato të shqyrtuara më parë.

Bëhej fjalë për ankesat e konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSh”, edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas aktakuzës ishte paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje prej 5 anëtarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme