Avokati i pastorit amerikan nis ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Turqisë

Prishtinë | 03 Tet 2018 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Avokati i pastorit amerikan, Andrew Brunson ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Turqisë, duke kërkuar lirimin e tij nga arresti shtëpiak, ka raportuar CNN në gjuhën turke.

Avokati, Ismail Cem Halavurt, ka thënë se ai do të kërkojë nga gjykata më e lartë në këtë shtet, që të lirohet klienti i tij.

Brunson është arrestuar në Turqi 21 muaj më parë nën akuzat e lidhura me terrorizëm dhe nëse shpallet fajtor mund të përballet me burgim deri në 35 vjet.

Rasti i pastorit Brunson, seanca e ardhshme e të cilit është caktuar për 12 tetor, është kthyer në çështjen më tensionuese në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Ankarasë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka vënë tarifa kundër importeve turke të çelikut dhe aluminit, derisa Turqia është kundërpërgjigjur po ashtu me tarifa në disa mallra amerikane.

Përveç tjerash tensionimi i lidhjeve mes këtyre dy shteteve ka ndodhur në kohën e rënies së vlerës së valutës turke, lira, kundrejt dollarit amerikan, duke rritur shqetësimet në Turqi për rrezik të krizës financiare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme