ShSK: Tregu i sigurimeve ka ndikuar në zhvillim ekonomik

Prishtinë | 27 Pri 2017 | 17:01 | Nga

Drejtuesit e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (ShSK) në 15-vjetorin e themelimit të kësaj shoqate theksojnë se tregu i sigurimeve ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

ShSK-ja është themeluar në prill të vitit 2002, nga kompanitë e sigurimeve, që ishin licencuar për të operuar në fushën e sigurimeve në atë kohë. Me rritjen e tregut të sigurimeve është rritur edhe numri i kompanive të sigurimit. Sot në Kosovë operojnë gjithsej 14 kompani të sigurimeve, 12 prej të cilave, janë kompani të sigurimeve Jo-jetë, dhe dy kompani të sigurimeve të jetës.

Shoqata e Sigurimeve në bashkëpunim me kompanitë e sigurimeve është duke punuar në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e sigurimeve në ekonomin e vendit, duke përfshirë këtu edhe ekonomitë familjare, përmes revistës periodike për sigurime – Buletini i Sigurimeve, përmes spoteve televizive, broshurave, dhe formave tjera.

Njëkohësisht Shoqata e Sigurimeve, në bashkëpunim me institucione prestigjioze ndërkombëtare në fushën e sigurimeve, bën trajnimin profesional të ndërmjetësuesve të sigurimit dhe për stafin e kompanive të sigurimit.

“Përkundër shumë sfidave, gjatë këtyre viteve të rrugëtimit të tregut të sigurimeve, ai megjithatë ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm, dhe ka qenë një kontribuues në zhvillimin e gjithëmbarshëm të ekonomisë së Kosovës” tha Adem Selmani, drejtor ekzekutiv i Shoqatës.

Kapitali i Kompanive të Sigurimit në Republikën e Kosovës është i larmishëm. Nga 14 kompani të sigurimeve 7 prej tyre janë me kapital vendor, 3 me kapital austriak, 2 me kapital shqiptar dhe 2 janë me kapital slloven.

Shuma e përgjithshme e primeve të shkruara për komplet tregun është rreth 80 milionë euro brenda një viti. 46% nga kjo shumë, janë paguar në formë të dëmeve, dhe raporti mes primeve të shkruara dhe pagesës së dëmeve është 54 me 46 %, që nënkupton se ka pasur një rritje të konsiderueshme, në pagesën e dëmeve, në krahasim me vitet paraprake.

“Tregu i sigurimeve të Kosovës ka kapacitete të plota, për të siguruar të gjitha entitetet dhe/apo personat fizik dhe juridik të cilët kanë nevojë që ta mbrojnë veten nga rreziqe të ndryshme, dhe të kenë një të ardhme më të sigurt” , tha Adem Selmani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme