ShSKUK jep detaje për vdekjen e të plagosurës në Podujevë, gjendja e të dyshuarës mbetet e rëndë

Prishtinë | 23 Mar 2026 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka konfirmuar vdekjen e njërës grua, e cila mbeti e plagosur mbrëmë në Majac të Podujevës nga vajza e kunatit të saj.

Përmes një njoftimi zyrtar, ShSKUK tha se pavarësisht përpjekjeve maksimale, pacientja ka vdekur në orën 03:00 pas mesnate.

“Sot, në orët e vona të mbrëmjes, në Qendrën Emergjente janë pranuar dy paciente të gjinisë femërore, njëra e lindur në vitin 1953 dhe tjetra 31-vjeçare, të sjella me autoambulancë nga Podujeva, si pasojë e lëndimeve të marra nga arma e zjarrit. Menjëherë pas pranimit, janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme emergjente. Të dy pacientet janë pranuar në gjendje shumë të rëndë dhe jo stabile, dhe janë intubuar me frymëmarrje të asistuar”.

“Njëra nga pacientet është dërguar në sallën operative, ku ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit janë duke vazhduar trajtimin intensiv. Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, pacientja e lindur në vitin 1953 ka ndërruar jetë në orën 03:00 pas mesnate”, thuhet në njoftim.

Ndërsa policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin është Prokurori kompetent nga Departamenti i Krimeve të Rënda i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në IML për obduksion.

“Me datë 23.03.2026 rreth orës 03:35 është raportuar se viktima femër kosovar ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Ne lidhje me këtë është njoftuar Prokurori kompetent nga Departamenti i Krimeve të Rënda i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në IML për obduksion, ndërsa rasti të ri-cilësohet në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rëndë” dhe “Mbajtje ne Pronësi, Kontroll ose Posedim të Paautorizuar të Armeve””, thuhet në njoftim.

Të ngjashme