SHSKUK: Në Kirurgjinë Abdominale janë realizuar operacione që konsiderohen ndër më të ndërlikuarat

Prishtinë | 10 Qer 2024 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Shërbimi Spitalor, klinik, Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), janë realizuar me sukses dy procedura kirurgjike të komplikuara.

Në njoftim thuhet se këto procedura kirurgjike konsiderohen si procedura më të ndërlikuara, në kuadër të Kirurgjisë Abdominale!

“Esophagectomia trans-hiatale (procedurë kirurgjike që konsiston në heqjen komplet të ezofagut, nga qafa deri te lukthi me dy prerje, në bark dhe në pjesën e majtë të e qafës). Si dhe operacioni sipas Whipple-it (i cili nënkupton procedurën kirurgjike që konsiston në heqjen e zorrës dymbëdhjetëgishtore, heqjen e kokës së pankreasit, 15-20 centimetra të pjesës fillestare të zorrës së hollë, heqjen e idhzës dhe shkurtimin e kanalit kryesor të vrerit, dhe përfundon me ngjitjen e zorrës së hollë me pankreasin, lukthin dhe kanalin e vrerit)”, përshkruhen procedurat në njoftim.

Njëri nga rastet i cili i është nënshtruar Esophagectomisë trans-hiatale, thuhet se është për shkak të karcinomës planocelulare në pjesën e poshtme torakale të ezofagut, ndërsa katër pacientë të tjerë, theksohet se janë trajtuar me procedurën sipas Whipple-it (duodenopancreatectomia cephalica), “për shkak të karcinomës në regjionin periampullar; një pacient me karcinomë në pjesën descendente të duodenit, ndërsa tre të tjerë me karcinomë në Papilla Vateri”.

Sipas njoftimit të gjithë pacientët janë trajtuar suksesshëm dhe janë lëshuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.

“Tek asnjëri prej tyre nuk ka pasur komplikime gjatë operacionit dhe komplikime tjera pas operatore”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme