Zogj dhe balena të ngordhur po shihen gjithnjë e më shpesh në bregdete. Sasia e plastikës së hedhur në oqeane është duke u rritur dhe problem pritet të bëhet edhe më i rëndë. Më poshtë po i përmendim disa fakte të tmerrshme për krizën e ndotjes së oqeaneve.
Rreth tetë milionë tonë plastikë hidhen në oqeane çdo vit. Kjo sasi është gati e barabartë me peshën e 90 aeroplanëve.
E kthyer në sasi më të vogla, kjo masë është e barabartë me hedhjen e një kamioni me mbeturina në oqean për çdo minutë.
Mbeturinat e hedhura në oqean mblidhen në vende të caktuara dhe formojnë grumbuj. Grumbulli më i madh i mbeturinave ndodhet mes Havait dhe Kalifornias. Aty janë mbledhur rreth 1.8 bilion copa të plastikës. Ato zënë një sipërfaqe sa trefishi i sipërfaqes së Francës.
Më shumë se një milion zogj dhe më shumë se 100 mijë gjallesa detare ngordhin çdo vit për shkak të mbeturinave plastike.
Rreth 80 për qind e ndotjes së mjedisit ujor të planetit tonë vjen nga toka. Këtu përfshihen ujërat e zeza, kamionët, fermat dhe vaji i motorëve të veturave.
Copa të plastikës janë gjetur edhe në thellësi prej 11 kilometrash në oqean. Kjo do të thotë se plastika është duke i ndotur disa nga vendet më të skajshme të planetit tonë.
Në vitin 2050, në oqeane do të ketë sasi më të madhe të plastikës sesa të peshqve, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.