Autoritetet e Paraguajit kanë njoftuar se në kontejnerin që ishte nisur nga Serbia janë gjetur shtatë kufoma në gjendje të ndryshme dekompozimi në portin e Asuncionit.
Kontejneri i cili para tre muajsh ishte importuar nga Serbia, kishte arritur nga Argjentina në fillim të kësaj jave në limanin e lumor të kryeqytetit paraguaian Asuncion ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.
Prokurori Marcelo Saldivar kishte njoftuar se trupat e të vdekurve, që mendohet se ishin udhëtarë fshehtë, janë gjetur të premten kur menaxherët e kompanisë importuese kishin hapur kontejnerin.
“Mendojmë se ata kishin hyrë në kontejnerë që të transportoheshin këtu. Si duket nuk e kanë llogaritur mirë distancën dhe nuk shpëtuan” kishte thënë më parë Saldivar, kur policia kishte gjetur trupat.
Ai shtoi se në dy trupa ishin gjetur dokumente dhe bëhej fjalë për shtetas marokenë.
Sipas prokurorit Saldivar në pjesën e kontejnerit ku ishin gjetur kufomat, kishte pasur edhe ushqim dhe ujë të mjaftueshëm për 72 orë, rroba dhe një vrimë për ventilim.
Prokurori shtoi se autoritetet paraguajane do të kontaktojnë autoritetet serbe për të hetuar rastin.