Gjatë këtyre viteve janë firmosur 86 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, ku shumica e tyre janë të pazbatuara.
Mbledhja e parë u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren, ku kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi e cilësuan këtë ngjarje si historike për të dy vendet dhe nënshkruan deklaratën për partneritet strategjik.
Pas Thaçit do të ishte ish-kryeministri Isa Mustafa qe do të vinte në Tiranë dhe së bashku me Ramën në mbledhjen e 23 marsit 2015 do të nënshkruanin 5 marrëveshje, 4 memorandume dhe 2 protokolle bashkëpunimi, njofton Euronews Albania.
Tradita vazhdoi edhe me 3 qershor 2016 në Prishtinë, ku ish kryeministri Mustafa ishte mikpritësi.
Më pas, me moton “Një tokë, një popull, një ëndërr” mbledhja e 4 e dy qeverive u mbajt ne Korçë më 27 nëntor 2017 ku në krah të kryeministrit Rama qëndronte kryeministri Ramush Haradinaj.
Një vit më vonë të njëjtit kryeministra mbledhjen e vazhduan më 26 nëntor në qytetin e Pejës.
Nën sloganin “bashkë pa kufij, në një rajon pa kufij” u mbajt mbledhja e gjashtë më 2 tetor 2020 ne Tiranë, ku kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti.
Vetëm pas 7 viteve takime dhe mbledhje, me vendimin e së mërkurës të qeverisë shqiptare një shtetas nga Kosova mund të marrë lejen e qëndrimit vetëm me një aplikim për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe lejen e punës.
Ndërsa në Kosovë, që prej qershorit të këtij viti, qeveria ka vendosur heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, është rënë dakord që qytetarëve të dy vendeve do t’u njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve.
Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara janë në fushën e tregtisë. Dy qeveritë ranë dakord në 2019 që të hapnin pikën kufitare të Kosovës në Portin e Durrësit por që në këtë pikë ende nuk ka nisur zhdoganimi i mallrave.
Për shkak të moszbatimit të një pjese të marrëveshjeve të firmosura dy qeveritë kanë ngritur edhe një sekretariat koordinues ndërqeveritar.