Shtatë ndeshje, asnjë gol për Muriqin – tifozët e kritikojnë, trajneri e mbron

Prishtinë | 09 Nën 2020 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Mediumet italiane dhe tifozët e Lazios nuk janë të kënaqur me kontributin e sulmuesit të Kosovës, Vedat Muriqi tek ekipi nga Serie A. Muriqi ende nuk ka shënuar gol me fanellën e Lazios këtë edicion. Ai deri më tash ka shtatë paraqitje te Lazio, përkatësisht 284 minuta lojë në kampionatin italian dhe Ligën e Kampionëve.

Muriqi para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Lazios për 17.5 milionë euro nga Fenerbahçe, investim ky që sipas mediumeve në Itali dhe tifozëve të klubit, nuk po arsyetohet ende. Sulmuesi 26-vjeçar te Lazio u transferua pas formës fantastike që e pati edicionin e shkuar te Fenerbahçe, ku shënoi 17 gola dhe asistoi shtatë herë në 36 ndeshje.

Megjithatë, kjo formë nuk e ka përcjellë edhe te Lazio, klubi më i madh në karrierën e tij. Kritikat ndaj Muriqit u ashpërsuan pas ndeshjes së fundit, në të cilën Lazio luajti baras në shtëpi kundër Juventusit (1:1), të dielën. Muriqi në këtë duel ishte titullar dhe u zëvendësua në minutën e 54-t nga Felipe Caicedo, i cili në minutat shtesë të ndeshjes shënoi golin e barazimit. Pas ndeshjes, Muriqi është vlerësuar me notën më të dobët – 5. Krahas golave, Muriqit te Lazio po i mungojnë edhe asistimet.

“Muriqi nuk ishte efektiv sërish. Inzaghi po vazhdon ta inkuadrojë në lojë, por ai nuk po mund të shënojë. Në pjesëlojën e parë ai madje nuk arriti ta dërgojë topin në portën e zbrazët nga një pozicion i përshtatshëm”, ka shkruar sajti italian “Calciomercato”, duke e vlerësuar sulmuesin kosovar si njërin prej lojtarëve më të dobët te Lazio kundër Juventusit.

Muriqi ka katër paraqitje në Serie A, kurse në dy ndeshjet e fundit ishte titullar. Ai titullar ishte edhe në duelin e fundit të Ligës së Kampionëve kundër Zenitit, ndeshje që përfundoi pa fitues – 1:1. Kjo do të thotë se Muriqi startoi te Lazio në tri ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Në Champions, Muriqi i ka në total tri paraqitje, por në dy ndeshjet e tjera ai është aktivizuar nga banka e rezervistëve.

Trajneri i Lazios, Simone Inzaghi, i ka dalë në mbrojtje Muriqit pas kritikave të shumta. Inzaghi ka insistuar se është i kënaqur me Muriqin deri më tash, por pret paraqitje më të mira të sulmuesit kosovar në ndeshjet e tjera. Sipas tij, Muriqi po adaptohet gradualisht te Lazio dhe i nevojitet edhe pak kohë që të përshtatet plotësisht.

“Për çdo ditë ai do të mësohet më shumë me ekipin. ADN-ja e Lazios është tjetër dhe ndryshon prej ekipeve të tjera, kështu që atij do t’i duhet më shumë kohë për t’u mësuar. Jam i kënaqur me kontributin e tij. Madje, do të jetë edhe më i mirë me kalimin e kohës”, ka thënë Inzaghi.

Muriqi ka kontratë me skuadrën italiane deri në verën e vitit 2025.

Të ngjashme