Shtatë persona të prekur me grip të derrit dhe një me Covid-19

Prishtinë | 10 Jan 2024 | 11:32 | Nga Ekonomia Online

Shtatë pacientë më influenca të grupit të derrit (AH1N1) dhe një me Covid-19, janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, i cili ka theksuar se “gjendja e tyre është stabile”.

“E kemi një pacient i cili është duke u trajtuar në Mjekimin Intenziv nga AH1N1 dhe është me parametra kliniko laboratorik stabil”, ka thënë Vishaj.

Ai ka sqaruar se numri i pacientëve që janë duke ardhur në këtë periudhë kohore është mjaft i madh.

“Kemi vërejtur një fluks të madh të pacientëve në këtë periudhë kohore në ambulancën e pranimit me simptomatologji të virozëve të traktit respirator, por kërkesa për spitalizim nuk është e madhe”.

Para tre muaj, Komuna e Prishtinës kishte njoftuar se 14 Qendra të Mjekësisë Familjare në kryeqytet janë furnizuar me vaksinën kundër gripit sezonal.

Sipas njoftimit, në administrim kryeqyteti kishte pasur 6 mijë e 700 doza të kësaj vaksine dhe qytetarët mund të vaksinoheshin çdo ditë pune.

“Të dashur qytetarë, ju ftojmë që të vaksinoheni, sidomos të moshuarit, personat me sëmundje kronike. fëmijët nën moshën pesë vjeçare dhe gratë shtatzëna”, thuhet në komunikatën për media.

Ndryshe, vaksinimi kundër gripit sezonal në Kosovë ka nisur në muajin tetor.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kishte njoftuar se fillimisht duhet të vaksinohen personat e moshës mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët mbi 6 muaj me imunitet të dobësuar.

Të ngjashme