Një zyrtar i lartë ushtarak në Kolumbi tha të martën se shtatë persona janë vrarë dhe njëmbëdhjetë të tjerë janë lënduar nga shpërthimi i një automjeti të ushtrisë, i cili ishte duke lëvizur nëpër një autostradë në pjesën jugperëndimore të këtij shteti.
Shpërthimi ndodhi në orët e vona të së hënës në një rajon rural të provincës Cauce, rreth 500 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Bogota. Kjo provincë është e njohur për trafikimin e drogës dhe përleshjet mes bandave.
“Ky nuk ishte sulm i rëndomtë. U sulmua një automjet ushtarak, i cili po shkonte nga Pasto drejt Cali-t. Automjeti ishte duke lëvizur në kohën e shpërthimit”, tha Jorge Isaacs Hoyos, komandant i divizionit të tretë në ushtrinë kolumbiane.
Ai shtoi se personat e vrarë kishin rënë nga automjeti për shkak të fuqisë së shpërthimit. Cak i sulmit ishin edhe dy automjete të tjera, ku dy persona në to u lënduan.
Rajoni ku ndodhi shpërthimi kontestohet nga forcat guerile të Armatës Çlirimtare Kombëtare, disidentëve të Forcave Revolucionare të Kolumbisë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.