Bashkë me Nenad Rikalon nuk ka ikur edhe stafi besnik i tij. Këshilltarët politikë dhe zyrtarë të tjerë që i kishte emëruar kanë vazhduar të dalin në zyre edhe këtë javë, të mbajnë në shfrytëzim asete të Ministrisë së Bujqësisë, përfshirë veturat, e edhe të gëzojnë beneficione.
Bazuar në Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe të ministrive, ministri e rekruton vetë një sektor, i cili përfshin këshilltarë politikë sipas zgjedhjes së tij e edhe mund të emërojë deri në katër të punësuar në kabinet, raporton “Koha Ditore”. Por neni 20 i kësaj rregulloreje saktëson se kjo marrëdhënie e punësimit skadon pas përfundimit të mandatit të eprorit, nëse kjo marrëdhënie e punës nuk ndërpritet më herët.
Në fund të javës së shkuar, kryeministri Ramush Haradinaj e ka liruar Rikalon nga detyra e ministrit të Bujqësisë, por pavarësisht kësaj anëtarët e kabinetit të tij kanë vijuar të paraqiten në punë.
“Gjatë gjithë javës anëtarët e kabinetit të Rikalos kanë qenë në zyre. Kurrkush nuk iu ka thënë gjë. Ata i vozisin veturat zyrtare dhe i gëzojnë të gjitha beneficionet, sikur të mos i kishte përfunduar mandate ministrit”, ka treguar një burim i gazetës. “Ata kanë qasje edhe në dokumente të rëndësishme qeveritare”.