Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit e Komunës së Gjilanit ka konstatuar disa objekte që gjenden në lagjen “Dheu i Bardhë”, përkatësisht në rrugën “Abdullah Presheva”, e që paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.
Në bazë të vlerësimit, të cilin e ka paraqitur Drejtoria tashti u është dhënë afat kohor prej 15 ditësh pronarëve që të marrin masat për rrënimin e objekteve dhe heqjen e mbeturinave, ndryshe Drejtoria e Inspektoratit do të marrë një vendim, ku edhe do të rrënohen objektet në fjalë.
Ndërkaq, Komuna ka identifikuar 17 troje ku gjenden objektet, të cilat paraqesin rrezik, ku edhe është i përqendruar komuniteti rom. Për këtë problematikë ishte diskutuar edhe në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi vjet, ku ishte paraqitur si shqetësim gjendja në rrugën “Abdulla Presheva”, ku pos rrezikshmërisë nga shembja e objekteve të pabanuara, tjetër shqetësim ishin edhe mbeturinat, të cilat hidheshin në atë pjesë.
Drejtori i Inspektoratit në Gjilan, Nevzad Rushiti, thotë se kanë kontaktuar me një pjesë të pronarëve, kurse me ata që nuk gjenden në Kosovë do të bisedojnë përfaqësuesit e komunitetit rom.