Administrata e Trumpit është duke vazhduar me shitjen e lokacioneve për gjetjen e naftës në Zonën Kombëtare të Kafshëve të Egra të Antarktidës.
Lokacioni është strehë e madhe e shumë specieve të rëndësishme, duke përfshirë ariun polar, drerin siberian dhe ujqërit. Shpimi i tokës në këtë zonë tashmë ka shkuar në pesë për qind ndërsa grupe që merren me mbrojtjen e natyrës dhe kafshëve kanë kundërshtuar këtë qasje të Trumpit, disa ditë para përfundimit të mandatit.
Duke mbuluar rreth 19 milionë hektarë, Streha Kombëtare e Natyrës së Arktikut shpeshherë është përshkruar si shkretëtira më e madhe në Amerikë.
Siç shkruan BBC, në muajt e dimrit, arinjtë femra ndërtojnë strofka dhe i lindin të vegjlit. Derisa temperaturat janë ngritur dhe akulli i detit është holluar, arinjtë kanë filluar t’i ndërtojnë strofkat e tyre në tokë.
Shtytja për kërkime në këtë zonë është një betejë dekadash mes ndërmarrjeve të naftës me mbështetjen e autoriteteve shtetërore dhe kundërshtarëve që janë përkrahës të mjedisit dhe shtazëve. Shumë përfaqësues të Alaskës besojnë se shpimi në zonën mund të çojnë në një gjetje të madhe të naftës, si në atë të Prudhoe Bay.
Të ardhurat nga nafta janë kritike për Alaskën ku çdo banor merr 1.600 dollarë në vit nga fondi i përhershëm i shtetit.
Në vitin 2017, projekt-ligji i administratës së Trumpit për uljen e taksave përmbante një dispozitë ligjore për ta hapur rrafshinën bregdetare afër Zonës për shpime. Ajo ishte parë si mënyrë për të kompensuar kostot e uljeve të taksave.
Aktualisht, Byroja Amerikane e Menaxhimit të Tokës i ka shitur të drejtat e shpimit në 22 sipërfaqe të tokës që përfshijnë rreth një milion hektarë. Këto qira të naftës dhe gazit do zgjasin për 10 vjet.
Mbrojtësit e natyrës dhe kafshëve kanë bërë përpjekjet për të kundërshtuar vendimet për shitje të të drejtave për shpime.
“Administrata e Trumpit po merr vendime pa bërë analizat e duhura, të kërkuara ligjërisht”, ka deklaruar Kristen Monsell, avokat i lartë në Qendrën e Diversitetit Biologjik në Arizona.
Vlerësimet thonë se rreth 11 miliardë fuçi nafte qëndrojnë nën Zonë dhe ky lokacion nuk ka infrastrukturë të duhur, duke e bërë kështu një vend të shtrenjtë për gjetje nafte.
Disa banka të mëdha amerikane kanë thënë se nuk do të financojnë kërkimin e naftës dhe gazit në zonë. Me administratën e re, të udhëhequr nga Joe Biden, është vendosur si fokus qendror që t’i rishikojnë vendimet për lejim të shpimit dhe të ketë kujdes maksimal ndaj natyrës në këtë zonë mjaft kritike.