Shtëpia e Bardhë: Bisedimet me Rusinë janë caktuar për 10 janar

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 10:05 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesit nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë caktuar një datë për të diskutuar tensionet rreth Ukrainës, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Sipas dpa, përcjell Telegrafi, Këshilli i Sigurisë Kombëtare tha të hënën në mbrëmje se do të ketë bisedime me Rusinë më 10 janar, në kuadër të një dialogu strategjik të sigurisë.

Të dyja palët do të jenë në gjendje të ngrenë shqetësimet e tyre në takim, tha Uashingtoni.

Rusia dhe NATO po planifikojnë të mbajnë bisedime të veçanta dy ditë më vonë, më 12 janar, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Zyrtarët e NATO-s kishin thënë tashmë se data ishte në shqyrtim për një takim të Këshillit NATO-Rusi, i pari në dy vjet e gjysmë.

Sipas administratës amerikane, më 13 janar do të ketë një takim të këshillit të përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Rusia dëshiron të ndalojë zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës, të cilën ajo e sheh si një kërcënim.

E Uashingtoni tha se nuk do të merren vendime mbi aleatët – përfshirë Ukrainën – në bisedimet e tij me Moskën.

Për javë të tëra, Perëndimi ka qenë i shqetësuar për raportet se Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë në zona jo shumë larg Ukrainës.

Disa pjesë të Ukrainës janë përfshirë në një konflikt midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë.

Ministria e Mbrojtjes në Moskë njoftoi të shtunën se më shumë se 10,000 ushtarë do të kthehen në bazat e tyre pasi të marrin pjesë në një manovër ushtarake.

Megjithatë, nuk zbuloi se sa prej tyre kishin qenë në kufirin me Ukrainën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme