Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është “i kënaqur” me zotimet e aleatëve të NATO-s për të rritur shpenzimet në mbrojtje, por paralajmëroi se ai do të tërhiqet nga aleanca nëse aleatët nuk i përmbushin premtimet.
“Ai nuk do të mbetet në NATO nëse NATO nuk bën më shumë përparim së shpejti”, tha zyrtari amerikan.
Muajin e kaluar, Trump ka thënë se aleanca nuk është më “organizatë e vjetruar”. Gjatë fushatës zgjedhore, ai ka kritikuar shpesh aleatët e NATO-s, duke thënë se nuk bëjnë sa duhet për mbrojtjen dhe për të luftuar terrorizmin.
Në përgjigje, të gjitha vendet e NATO-s i janë bashkuar koalicionit që lufton grupin militant Shteti Islamik në Siri dhe Irak.
Trump do të takojë liderët e tjerë të NATO-s në një samit në Bruksel më 25 maj.