Shtëpia e Evropës sjell ekspozitat e valës së re të artistëve, Szunyog i impresionuar me përkushtimin e të rinjve

Prishtinë | 09 Maj 2023 | 18:41 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Shënime: Imazhe”, me punime të katër artistëve të rinj kosovarë.

Në ekspozitën që është hapur në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 9 Majit – Ditës së Evropës, prezantohen punimet e artistëve të rinj Besfort Syla, Arrita Katona, Zana Begolli dhe Qazim Gashi.

Nëpërmjet objektivit të tyre, ata dokumentojnë nënkulturat, eksperimentojnë me mediumin e kamerës dhe shtyjnë kufijtë e roleve tradicionale gjinore.

Ekspozita i referohet veprës kryesore të Susan Sontag “On Photography”, e cila eksploron fuqinë dhe kufizimet e fotografisë si një medium për përfaqësimin e realitetit. Idetë e Sontag ofrojnë një kornizë për të kuptuar mënyrat në të cilat këta katër artistë po sfidojnë normat gjinore përmes fotografisë së tyre.

Ambasadori Tomas Szunyog u shpreh i impresionuar me përkushtimin e komunitetin e ri artistik në Kosovë.

2023-ta është shpallur si Viti Evropian i Shkathtësive, andaj Szunyog ka bërë të ditur se shumë nga aktivitetet për shënimin e Ditës së Evropës në Kosovë do të fokusohen në zhvillimin e shkathtësive për të rinjtë.

Ai më herët gjatë ditës kishte dhe një masterklasë ku të rinj kosovarë po mësonin shkathtësitë e artit në rrugë.

Ambasadori i BE-së tha se duke parë përkushtimin e të rinjve për të siguruar një prosperitet, kjo po e shtyn BE-në që të vazhdojë investimin në zhvillimin e aftësive për të rinjtë dhe të ardhmen e Kosovës.

“Ekspozita do të sjellë një gamë të larmishme veprash artistike, duke përfshirë instilacionet e skulpturave, të pikturës, së fotografisë dhe mediet digjitale; të gjitha të krijuara nga artistë të rinj dhe të talentuar nga e gjithë Kosova. Kam takuar në Kosovë shumë të rinj që po bëjnë gjithçka që munden për të siguruar prosperitetin e Kosovës dhe unë do të doja për t’ju falënderuar për këtë. Ne e shohim këtë përkushtim edhe me komunitetin e ri artistik në Kosovë. Kjo na mban të etur për të vazhduar investimin në zhvillimin e aftësive për të ardhmen e Kosovës”, tha ai.

Shkamb Jaka, i cili ishte njëri nga kuratorët e kësaj ekspozite, tha se këto punime flasin për diversitetin, kreativitetin dhe qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor.

“Kjo ekspozitë nuk ka të bëjë vetëm me artin, ka të bëjë me fuqinë e fotografisë për të treguar histori, sfiduar normat dhe për të frymëzuar ndryshimin. Nëpërmjet lenteve të tyre, këta artistë kapin bukurinë e nënkulturave, eksperimentojnë me mediumin e fotografisë dhe sfidojnë rolet tradicionale gjinore”.

“Punimet e tyre flasin për diversitetin, kreativitetin dhe qëndrueshmërinë e shpirti njerëzor. Aftësitë e mësuara përmes artit janë jetike për rritjen personale, zhvillimin social dhe emocional dhe ndërtimin më të fortë komunitetet”, tha Jaka.

Puna e Arrita Katonës trajton privatësinë në epokën digjitale. Punimet e saj eksplorojnë ndikimin e teknologjisë në privatësinë tonë dhe mënyrën se si ne “lundrojmë” në botën moderne.
Stili i fotografisë së Besfort Sylës është inovativ dhe tërheqës duke shfaqur bukurinë e komuniteteve në Kosovë. Pjesët e tij nxjerrin jashtë veçoritë unike të këtyre komuniteteve dhe dokumentojnë mënyrën e tyre të jetesës.

Fotografia e Qazim Gashit ofron një këndvështrim të freskët të trupit të njeriut. Puna e tij kap rrjedhshmërinë dhe hirin e trupit në lëvizje, duke zbuluar një anë të formës njerëzore që shpesh anashkalohet.

Puna e Zana Begollit trajton çështjen e rëndësishme të shëndetit mendor tek të rinjtë. Punimet e saj pasqyrojnë betejat me të cilat përballen të rinjtë me shëndetin mendor, duke theksuar rëndësinë e mirëkuptimit dhe ndjeshmërisë.

Kuratorë të ekspozitës janë Shkamb Jaka dhe Laureta Hajrullahu.

Të ngjashme