Ka dy vjet që kjo shoqatë franceze lobon që këtë rrjet ta shtrijë edhe në Shqipëri, ku bashkitë me histori të mbrojtura në fushën e trashëgimisë të bëhen rrjet dhe t’i bashkohen studimit të kësaj shoqate, e cila konsiston në planifikimin urban të vendeve të mbrojtura historike. Marylise Ortiz, drejtore e kësaj shoqate, tha se, “Elbasani është një qytet me shumë zona historike, ku pjesa më e madhe e tyre ndodhen në lagjen Kala”.
Në këtë kuadër, Ortiz i kërkoi kreut të bashkisë, Qazim Sejdini, që të lobojë edhe me bashkitë e tjera të Shqipërisë, që të bëhen pjesë e këtij rrethi, duke e nisur pas Elbasanit me qytetin e Beratit. Sipas Ortiz, “qyteti i Elbasanit ka shumë hapësira për të rritur numrin e turistëve, për nga vetë vlerat historike dhe arkeologjike që ka, por kjo kërkon më shumë vëmendje dhe investim në planifikimin urban, kryesisht në vendet e mbrojtura historike”.
“Në këtë kuadër ne kemi hartuar një projekt pilot për të mbrojtur këto zona historike, duke e nisur nga lagja “Kala”, tha ajo.
Nga ana e tij, kreu i bashkisë është shprehur mjaft i gatshëm të jetë iniciatori i krijimit të këtij rrjeti, ndërsa shtoi se “aktualisht në lagjen ‘Kala’ ndodhen shumë objekte historike, në fushën e trashëgimisë kulturore, mes tyre edhe shtëpia e Kostandin Kristoforidhit”. Por, problem, sipas tij, mbetet privatizimi i pronave.
“Synimi ynë si bashki është që ta kthejmë shtëpinë e Kostandin Kristoforidhit në shtëpi muze, me qëllim që edhe ky objekt t’i rikthehet zonës së kalasë dhe jo vetëm. Ky fakt do të rrisë numrin e turistëve në qytet, pasi Kostandin Kristoforidhi cilësohet si babai i gjuhës shqipe. Jashtë kalasë ndodhet edhe mozaiku i zbuluar disa vite më parë, por një i tillë ndodhet edhe brenda kalasë. Njëkohësisht, me Elbasanin e Ri ne kemi akoma shumë për të bërë. Vetëm në zonën e Shpatit ndodhen shumë objekte historike shumë shekullore, siç është Kisha e Shelcanit, ku edhe edhe sot janë të dukshme pikturat e ikonografit Onufri, rrënojat e kishave në Lleshan, Manastirin e Shën Joan Vladimirit, Hamami në Bradashesh, si edhe shumë objekte të tjera historike në fushën e trashëgimisë që kanë nevojë për më shumë vëmendje”, tha Sejdini.