Një shtëpi e përmbysur në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, e cila është ndërtuar nga një sipërmarrës dhe ka kushtuar thuajse sa një vilë, synon të vizitohet nga 100 mijë vizitorë, raporton Anadolu Agency (AA).
E ndërtuar dhe patentuar nga sipërmarrësi Mehmet Emin Görmez, shtëpia e përmbysur është hapur për vizitorët, të cilët mahniten nga pamja e saj.
Në shtëpi janë përdorur orendi të vërteta, si perde, lavatriçe, dollape, shtretër, mobilje të kuzhinës, të cilat, për dallim nga shtëpitë normale, janë të vendosura në tavan.
Për ndërtimin e shtëpisë janë nevojitur katër muaj, ndërsa ajo ka kushtuar 420 mijë lira (mbi 100 mijë dollarë), të holla këto me të cilat mund të ndërtohet vilë normale.
Görmez, i cili shtëpinë e parë të përmbysur e hapi në Antalia në vitin 2015 dhe të dytën në Ankara këtë vit, synon që shtëpinë e tretë të tillë ta hapë në Eskishehir dhe të katërtën në Stamboll.
Görmez për AA thotë se teksa për një ndërtesë normale përdoren afër nëntë tonë ndërtim çeliku, në shtëpinë e përmbysur janë përdorur 28 tonë, në mënyrë që ajo të jetë e qëndrueshme.
Duke theksuar se ka pasur interesim të madh për shtëpinë e hapur më parë në Antalia, Görmez shprehet se në shtëpinë e përmbysur në Ankara synojnë të arrijnë deri në 100 mijë vizitorë.
Në ndërkohë, Nihan Ünlü, një nga vizitorët e shtëpisë, thotë se shtëpia i ka pëlqyer në masë të madhe, duke shtuar se ajo është zbavitëse për të gjitha grupmoshat.
“Është e çuditshme që orenditë janë të vendosura në tavan. Pamja e orendive që qëndrojnë lartë është shumë e bukur. Nuk kanë anashkaluar madje as hollësinë më të vogël brenda shtëpisë. Madje edhe hapja e dritareve nga ana e kundërt ishte e çuditshme”, theksoi Ünlü.
Edhe Neslihan Meşe tregon se ka ardhur ta vizitojë shtëpinë e përmbysur se bashku me nipat.
“Fëmijët kanë shumë dëshirë të shohin gjëra interesante. U zbavitën shumë kur erdhën këtu. Shtëpia qenka shumë e bukur”, tha Meşe.