Ditë më parë në fshatin Grackë të komunës së Lipjanit, shtëpia e Miroslav Tepshiq ishte djegur nga pakujdesia. Shkaktar i djegies së shtëpisë ishte cigarja e lënë e ndezur, thonë burime të afërta me policinë e Kosovës.
Mirëpo, faqja propaganduese “Kosovo i Metohija” kishte dhënë lajmin për djegien e shtëpisë, duke vënë në dyshim se nga kush ishte djegur shtëpia.
Në përshkrimin përcjellë me fotografi theksohet: “Arsyeja për rënien e zjarrit nuk dihet”. Kjo kishte nxitur komentuesit që t’i akuzojnë shqiptarët se qëndrojnë prapa këtij akti.
Komentuesja Slavica Raduloviq shkruante: “Arsyeja. Mjaftueshëm me qenë serbe”.
Nada Dragicevic komenton: “Për fat të keq vetëm shtëpitë serbe po digjen”.
Komenti i Verica Teshiq: “Përsëri”. Këto janë disa nga komentet e serbëve që besojnë se shtëpia është djegur nga shqiptarët.
Por, fatmirësisht ka edhe qytetarë serbë, të cilët kanë treguar publikisht mbi arsyet e vërteta të djegës së shtëpisë së Miroslav Tepshiqit.
Aleksandra Shabiq, banore serbe e fshatit Graçkë, ka treguar se shtëpia ishte djegur nga cigarja.
“Zjarri ka shpërthyer si pasojë e mosndaljes së cigares. As nuk janë shqiptarët e as serbët. Falë Zotit nuk ka viktima dhe as të lënduar” ka thënë Shabiq.
Raste të kësaj natyre kanë ndodhur edhe me parë, dhe shpesh ka pasur tendenca që t’iu jepet konotacion ndër-etnik. Para një viti në mediat serbe ishte raportuar se në fshatin Palaj të Obiliqit është djegur një shtëpi e një serbi. Edhe në atë rast kishte rezultuar se djegia e një objekti përcjellës/shupe kishte ardhur si rezultat i pakujdesisë me pirjen e duhanit.
Mirëpo, zyrtari ndërlidhës i Serbisë në Kosovë, Dejan Paviçeviq, e kishte vizituar vendin e ngjarjes dhe kishte deklaruar që ka indicie që është djegie e qëllimshëm dhe nuk dihet ende a është incident ndëretnik.