Shteti i Bahamas njeh Kosovën

Prishtinë | 19 Dhj 2025 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se shteti i Bahamas e ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, duke u bërë shteti i 121-të që e njeh Republikën e Kosovës.

“Bahamas njeh Kosovën! Edhe një vendim historik për vendin tonë. Bahamas bëhet shteti i 121-të që njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës sonë!”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka bërë të ditur se marrëveshja për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike është nënshkruar në kryeqytetin e Bahamas me Kryeministrin e këtij shteti, Philip Davis.

“Sapo kemi nënshkruar, këtu në kryeqytetin e Bahamas, marrëveshjen dypalëshe për njohje dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike me Kryeministrin e Bahamas, mikun tonë të mirë Philip Davis”, ka theksuar presidentja Osmani.

Në deklaratën e përbashkët të Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës thuhet se Bahamas e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, si dhe është vendosur zyrtarisht marrëdhënia diplomatike ndërmjet dy vendeve.

“Komonuelthi i Bahamas dhe Republika e Kosovës njoftojnë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, të dyja shtetet riafirmojnë përkushtimin ndaj parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, respektimit të sovranitetit, barazisë së shteteve dhe zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve.

Bahamas dhe Kosova shprehin synimin për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, përfshirë tregtinë, investimet, turizmin, arsimin, kulturën, teknologjinë dhe inovacionin.

Të ngjashme