Shteti i Iowas konfirmon mbështetjen për bujqësinë kosovare

Prishtinë | 22 Sht 2021 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Shteti i Iowas do të vazhdojë mbështetjen e sektorit të bujqësisë në Kosovë përmes formave konkrete të bashkëpunimit, me qëllim të avancimit të këtij sektori sipas praktikave bujqësore të Iowas.

Kjo përkrahje iu konfirmua Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci në takimin që e zhvilloi me Sekretarin e Shtetit të Iowas, Paul Pate, ku u diskutua për mundësitë e krijimit të partneriteteve dhe investimeve të reja mes të dyja shteteve.

Gjatë këtij takimi, Ministri Peci ka prezantuar para Sekretarit të Iowas zhvillimet e përgjithshme në sektorin e bujqësisë në Kosovë, si dhe e  ka njoftuar atë se bujqësia mbetet ndër potencialet kryesore për zhvillim ekonomik.  

Me këtë rast, ai e ka njoftuar atë se gjatë këtij mandati do të angazhohen që përmes mekanizmave shtetërorë, avancimit të legjislacionit aktual, si dhe politikave zhvillimore të krijojnë kushte më të favorshme për avancimin e veprimtarive bujqësore, si një veprimtari e cila mund të derivojë të ardhura dhe përmirësim të bilancit tregtar.

Duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që e ka dhënë shteti i Iowas për Kosovën, ai e njoftoi atë edhe me sektorët më me potencial në vend duke shqyrtuar kështu mundësitë e investimit në Kosovë, specifikisht në sektorin e produkteve dhe nën-produkteve bujqësore si qumështi, mishi, perimet, frutat e imta, bimët mjekësore dhe aromatike dhe jo vetëm. Me këtë rast Ministri Peci ka marrë konfirmimin e Sekretarit Pate për të iniciuar projekte të reja të përbashkëta bujqësore.

Sekretari Paul Pate e informoi ministrin për etapat e zhvillimit të bujqësisë në Iowa, dhe premtoi se Iowa do të vazhdojë të mbështesë Kosovën edhe në fushën e bujqësisë, në mënyrë që prodhuesit kosovarë të përfitojnë nga përvoja e bujqësisë së Iowas.

Ministri Faton Peci gjatë qëndrimit të tij në Des Moines, kryeqytetin e shtetit të Iowas, ka takuar Drejtoreshën e Autoritetit të Zhvillimit Ekonomik të Iowas, Debi Durham, me të cilën kanë diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm mes të dyja shteteve, si dhe për format që do të nxisin rritjen e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Ministri Peci prezantoi para Drejtoreshës Durham të arriturat në sektorin e bujqësisë, si dhe sektorët më me potencial, në të cilat shfaqi interesimin që të zgjerohet bashkëpunimi mes dy vendeve. Po ashtu, gjatë këtij takimi, Ministri Peci është njoftuar nga Drejtoresha Durham mbi politikat dhe praktikat e tyre të punës dhe shërbimet që i ofrojnë për prodhuesit bujqësor në Iowa dhe me këtë rast konfirmoi gatishmërinë e saj për të inicuar projekte të përbashkëta bujqësore, ekonomike dhe strategjike.

Për të nxitur një bashkëpunim efikas dhe të konkretizuar projekte që avancojnë sektorin, Ministri Faton Peci ka zhvilluar një takim edhe me udhëheqësen e Iowa Sister States, Carla Weilbrenner McCollum. Gjatë këtij takimi, ajo e ka njoftuar ministrin për aktivitetet e kësaj organizate në përkrahjen e sektorëve të ndryshëm në mbarë botën dhe shprehën gatishmërinë që këtë përkrahje ta ofrojnë edhe për Kosovën.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  Ministri Faton Peci ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë dhe përfaqësues në Parkun e Hulumtimit të Universitetit Shtetëror të Iowas, me ç ’rast ai është takuar me Drejtoreshën e Korridorit të Kultivimit Amerikan, Bill Hunt dhe me Drejtoreshën e Departamentit të Programeve Ndërkombëtare, Shelley Taylor, me të cilat kanë diskutuar për format e bashkëpunimit që mund t’i kenë në të ardhmen në nivel institucionesh në fushën e bujqësisë, si dhe mundësitë konkrete për krijimin e një ure bashkëpunimi mes kompanive amerikane dhe prodhuesve të Kosovës.

Po ashtu, Ministri Peci është takuar edhe me Dekanin e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare Dan Grooms, ku ndër tjerash janë pajtuar që të nxisin partneritetin me qëllim të shkëmbimit të eksperiencave sektoriale, duke pasur për bazë se Universiteti në fjalë ka një traditë shekullore në bujqësi e veterinari.


Të ngjashme