Shteti planifikon të blejë helikopterë, shumica e policëve s’kanë armë të gjata

Prishtinë | 24 Pri 2017 | 17:15 | Nga

Qeveria e Kosovës është duke i shqyrtuar mundësitë për blerjen e helikopterëve për nevoja të sigurisë. Planet janë që ata helikopterë të përdorën nga Policia, pasi  FSK-ja ende nuk e ka fituar ligjërisht të drejtën për armatim të rëndë.

Tashmë janë shqyrtuar edhe vendet për pista të helikopterëve, sikundër edhe kapacitetet njerëzore që do të mund t’i përdornin këto mjete.

Gjithë këto plane janë bërë në kohën kur Policia e Kosovës nuk i ka të gjithë pjestarët e saj të pajisur me armë të gjata dhe me pajisjet për situata të veçanta.

Burime brenda Policisë kanë thënë për AktivPress se në rrethanat e sotme, policët, qoftë në shtetet e rajonit qoftë në shtetet e Perëndimit janë të pajisur me armë të gjata dhe me pajisjet e tjera të sigurisë fizike.

“Polici duhet që pos armës së shkurtër  ta ketë edhe armën e gjatë.  Secili polic duhet ta ketë jelekun antiplumb, helmetën, maskën për gaz dhe mburojën. Në Kosovë, jo të gjithë policët i kanë këto pajisje”, ka thënë burimi brenda Policisë.

Pavarësisht kësaj, Policia e Kosovës nuk e sheh të nevojshme që policët nëpër patrollime të jenë të pajisur me armë të gjata.

Kryetari i Sindikatës të Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli ka thënë për AktivPress se posedimi i këtyre armëve nuk është i nevojshëm nëpër patrollime të policëve, përveç në disa njësi më specifike.

Tasholli ka thënë se me sistemin e ri nuk parashihet që policët të jenë të pajisur me ndonjë armë më të avancuar përveç atyre të shkurtave. “Në sistemin e ri, patrollat janë çdokund me armë të shkurta, nuk ka më me armë të gjata”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu ka shtuar se nëse do të jetë e nevojshme që policët të jenë të pajisur me këto armë, kjo do të ndodhë mirëpo sipas tij janë disa njësi të ndara të cilat janë të ngarkuara me pajisje të veçanta.

“Nëse është e nevojshme ata do t’i kenë edhe armët e gjata. Janë njësitë e ndara, kufiri dhe njësitë e specializuara janë të ngarkuara me armë të gjata. Nëse është e nevojshme ato mund të bëhen, por që nuk është e nevojshme patrollime të bëhen me këto armë”, ka përfunduar Tasholli.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ditë më parë ka deklaruar për AktivPress se Policia me kohë i bënë planifikimet për furnizim me mjete të nevojshme logjistike. “Policia e Kosovës me kohë bën planifikimet e saja për furnizim me mjete dhe pajisje të nevojshme logjistike duke përfshirë edhe furnizimin me armë dhe municion”, ka thënë ai.

Sa i përket furnizimit me armë të shkurta dhe të gjata, Kelani ka shtuar se të gjitha kërkesat e nevojshme realizohen duke respektuar ligjin. “Furnizimi me armë si dhe municionit bëhen sipas planifikimeve, nevojave për furnizim duke respektuar dhe duke u bazuar ne legjislacionin në fuqi”, ka thënë Kelani për AktivPress.

Policët, megjithatë vazhdojnë të kenë telashe edhe me gjënë më elementare- uniformën.

Deri në fund të vitit që e lamë pas kanë qenë edhe gjashtë përqind e policëve që nuk kanë arritur ta sigurojnë uniformën e re, e cila është dizajnuar  dhe futur në përdorim  qysh në qershor të vitit 2015

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme