Shteti që po ia komplikon Kosovës anëtarësimin në Interpol

Prishtinë | 01 Sht 2017 | 15:46 | Nga

Republika e Kosovës pret që në muajin shtator të bëhet pjesë e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, në një intervistë për “Indeksonline” ka theksuar se vendi ynë i ka gjasat që të pranohet në INTERPOL. Hyseni ka sqaruar se Komiteti Ekzekutiv i këtij mekanizmi e ka futur në agjendë të Asamblesë së Përgjithshme aplikacionin e Republikës së Kosovës.

“Do të votohet për aplikacionin tonë pasi të aprovohen kriteret. Pika e parë e agjentes është aprovimi i kritereve për anëtarësim dhe nëse aprovohen pastaj do të procedohet me votimin e aplikacioneve të vendeve që kanë aplikuar për anëtarësim”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën sepse Komiteti Ekzekutiv përbëhet nga 50% të vendeve që e kanë njohur Kosovën dhe 50 të tjera që nuk e kanë njohur vendin tonë, pra gjithsej 12 shtete.

“Për me marrë pjesë në asamble të përgjithshme ftesë personale kanë marrë kryeministri dhe unë si ministri i Punëve të Brendshme. Natyrisht se ne jemi për përgatitje që të marrim pjesë aty por varësisht nga zhvillimet brenda që do të ndodhin në Kosovë”, është shprehur ai.

I pari i MPB-së tregon se është duke punuar intenzivisht që të mbledh vota për Kosovën sepse janë 2/3 të anëtarëve të Interpolit që duhet të votojnë për me u bë anëtare. Megjithatë, Hyseni shpjegon se është një shtet i cili mund t’i sjell telashe vendin tonë.

“Nuk është sekret më, është sekret publik them kushtimisht, që aplikimi i Palestinës e ka kompliku krejt procesin. Siç e dimë ka vende që nuk janë shumë entuziaste që ta shohin Palestinën si anëtare të Interpolit. Por, pavarësisht kësaj, ne në koordinim me partnerët kyç ndërkombëtarë jemi duke bërë përpjekje që të krijojmë përkrahje sa më shumë që aplikacioni të marrë votat e duhura në Pekin”, ka thënë ai.

Ndryshe, me 26 deri 29 shtator punimet në asamble zhvillohen në Pekin. Votimi do të ndodhë më 26 shtator ndërkaq delegacioni i Kosovës do të jetë me 25 shtator.

Zyrtarëve të qeverisë i është bërë ftesa në cilësinë e vëzhguesve.

Ftesë poashtu i është bërë edhe kryeministrit, Isa Mustafa, ministrit Skënder Hyseni, drejtori të Përgjithshëm të Policisë, Shpend Maxhuni dhe disa përfaqësuesve të tjerë të ekzekutivit kosovar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme