Shteti sot e ka harruar njeriun e Kosovës

Prishtinë | 18 Jan 2024 | 21:36 | Nga Ramush Haradinaj

Shteti sot e ka harruar njeriun e Kosovës. E ka lënë në mëshirën e vet. Ai sot përballet me fukarallëkun, me papunësinë, me emigrimin.

Kosova sot është vendi më i varfër në Evropë dhe Qeveria në vend që të merret më njeriun e vet, ka vendosur ta pasurojë veten. Me pagat më të ulta, me çmime jashtë çdo kontrolli, me pensione qesharake, me çmime të papërballueshme të energjisë e të bukës. Ku qeveria, paratë e taksapaguesve i ruan në bunkerin e vet financiar, e nuk I investon në mirëqenien e popullit.

Njeriu i Kosovës sot është i papërfaqësuar, i kundërshtuar edhe i luftuar. Pushteti politik i ka shpallur luftë edhe njeriut edhe strukturave të shtetit. Ka më shumë se tre vjet që ky pushtet është në luftë me komunat që nuk janë të partisë së tij, në luftë me gjyqësorin, me prokurorinë, me policinë, me mësimdhënësit, me mjekët e infermierët, me veteranët, me sindikatat, me bizneset, me mediat e gazetarët.

Ky pushtet është në luftë me secilin që e ka mendjen e tij e nuk mendon si ai.
Është në luftë me njeriun e Kosovës.
Me një fjalë kjo shoqëri sot është përballë një pushtimi modern të pushtetit, që po bëhët përmes shantazhit, mashtrimit e shpërlarjes së trurit! Na kanë bërë më të varfër, sepse po na vjedhin edhe ne xhep, por edhe të ardhmën. Jemi më pak, sepse po ikin njerëzit nga depresioni e fukarallëku.
Edhe miqtë po na largohen, sepse kemi filluar t’i zhgënjejmë edhe ata. Jemi vendi i vetëm në Evropë, që jemi nën sanksione të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Por cili është shpëtimi!?

Hapi i parë i këtij shpëtimi është që populli t’i vë sanksione këtij kryeministri e kësaj qeverie;

Që të mos ketë më mashtrime me shifra fiktive, por rritje ekonomike të jetë reale;
që ndihmat sociale t’i shndërrhen në paga e pensione të dinjitetshme;
Që Kosova të mos jetë vend me shëndetësi të sëmurë e me arsim që nuk garanton dije;
që të mos jetë vend ku poshtërohen kategoritë e lirisë, po ku trajtohen me dinjitet;
Ku komunat nuk do të jënë të partive por të qytetarëve;
Ku pushtetet të jenë të ndara e pa diktatin e Partisë-Shtet.
Më në fund ku Kosova të mos jetë vend ku krejt dojnë me dalë prej tij, por vend i perspektivës, i mundësive e i lirive .
Ku me partnerët ndërkombëtarë, do të punohet ngusht e pa hile, e ku nuk do të ketë forcë që mund ta devijojë Kosovën në kursin e saj euro-atlantik e në marrëdhënie të posaçme me Amerikën.
Kosova në NATO, në BE dhe OKB, nuk është vetëm orientim politik, por edhe popullor i këtij vendi dhe këtë nuk do të mund ta ndërrojë askush.

Këto synime nuk mbërrihen lehtë, por zgjidhje tjetër nuk ka.

Për këto qëllime madhore, ne jemi përcaktuar të punojmë me pasion e pa arrogancë dhe kërkojmë mbështetje prej secilit prej jush. Siç jeni informuar, ne e kemi bërë hapin e parë dje. Në këtë rrugë jemi bashkuar me Nisma e në ditët që vijnë do ta zgjerojmë këtë front.

Na priftë e mbara!

(Fjalim i mbajtur në pritjen e organizuar nga AAK-ja dhe Nisma për fillimin e viti)

Të ngjashme