Shtimi i vendeve të punës, vetëm përmes zhvillimit të bizneseve

Prishtinë | 11 Tet 2016 | 16:24 | Nga

Nën organizimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komunës së Gjilanit, sot është mbajtur takim i përbashkët me bizneset në regjionin e Gjilanit, të cilat kanë bashkëpunuar me ministrinë  në krijimin e vendeve të reja të punës, për një numër të konsiderueshëm të punëtorëve.

Në këtë takim i pranishëm ishte ministri Arban Abrashi, zv.ministrja Rita Hajzeraj, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri. Me këtë rast ministri Abrashi, ka potencuar se nëse bashkërisht dëshirohet një zhvillim ekonomik dhe punësim, atëherë në Kosovë duhet një orientim i veçantë dhe me përkushtim drejt sektorit privat, i cili është çelësi i zhvillimit ekonomik.

Me këtë rast u konstatua se, për të nxitur zhvillimin ekonomik, janë më se të nevojshme reformat arsimore në përgatitjet e kuadrit profesional, duke motivuar nxënësit që të regjistrohen në drejtime, të cilat gjithnjë janë të hapura për punësim në të ardhmen.

“Me subvencionimin e pagave kemi arritur që në kuadër të programit për punësim, sot të kemi një numër të vogël të të punësuarve, mirëpo kur kemi parasysh nevojat e mëdha për punësim kjo shifër duhet të na shërbejë si shpresë për të ardhmen”, tha ministri Abrashi. Ai theksoi që shumë shpejt do të fillohet me fazën tjetër dhe me programin tjetër, atë të mbështetjes së punës praktike në sektorin privat, e cila është një mundësi e mirë për punësim dhe krijim të kushteve më të mira.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, duke e ndërlidhur këtë takim me ditën e martë si ditë të hapur të takimit të qytetarëve me kryetarin, ka thënë se 90 për qind e rasteve që takojnë kryetarin, kërkesën e vetme kanë punësimin.

Haziri theksoi shtimi i vendeve të punës mund të bëhet vetëm përmes zhvillimit të qëndrueshëm të bizneseve private.

“Programet e ministrisë gjithnjë e më shumë janë lehtësuese, sepse krijojnë vende pune për kohë të caktuar sezonale, por të shumtën e rasteve rezultojnë edhe me vende të rregullta pune”, tha kryetari Haziri.

BIZNESET.JPG

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme