“Shtine nër tepih bërllogun”, ose morali i rremë i një shoqërie

Prishtinë | 22 Jan 2024 | 13:30 | Nga Dibran Hoxha

Morali e fundos një shoqëri; morali i stilit “shtine nër tepih bërllogun” veçse na ka përmbytë neve, “kosovarëve të ndershëm”.

Ideja moralizuese e disave, se mediat duhet me pasë kujdes çka postojnë e çka jo, duhet me u përmbysë niherë e përgjithmonë. Gjykimi i tyne se mediat e paskan për qëllim përfitimin, nuk na e çel kurrfarë horizonti.

Nëse këta, gardianët e moralit shoqnor qenkan kundër tregut të lirë e përfitimit të kompanive në kurriz të diçkaje tjetër, ka zgjidhje edhe për këtë punë. Ama, gardianët nuk e kanë këtë brengë, sepse preokupimi kryesor i tyne është se disa po fitojnë pandershëm e na s’po mujmë me fitu ndershëm.

Nuk kemi nevojë me ja moralizu qëllimin medieve kur e publikojnë një material, kemi nevojë me pa përmbajtjen e materialit, e si rrjedhojë me çmoralizu qasjen tonë ndaj materialit.

Mediat, (qoftë edhe pa atë qëllim) po ia bëjnë një shërbim kësaj shoqnie duke e nxjerrë në sipërfaqe, duke e sheshëzu krejt bërllogun që na e “mshefim nër tepih” çdo ditë që jetojmë mrena kësaj shoqnie. Andaj, deri në një masë, gardianët e moralit shoqnor janë kontribues të dhunës, të abuzimeve e të vrasjeve brenda kësaj shoqnie.

Qysh po na plaska neve ka ni skandal për çdo javë?! Përveç nëse jemi munu me shtyp, e na shpërthen aty ktu me ni stupc në kry, a me ni plumb në barkun e nanës shtatzanë.

-“Shtine nër tepih” se fëmija po mëson, po PISA pe qet keq.
-“Shtine nër tepih” se ni shuplakë me ja dhon grusë nuk prishet familja.
-“Shtine nër tepih” se i kalon, pse me shku te mjeku, ky/kjo budallë nuk është.
-“Shtine nër tepih” se veç po halitet djali që po sillet me stupc të bejsbollit në kerr.

Çdo send duhet me u publiku,* çdo send duhet me u sheshëzu, çdo pore e shoqnisë duhet me u çel, me u diskutu, me kqyr kah, qysh, pse po na ndodhin këto “rrufe për s’kthjellti.

Personalja mbetet politike!

*Fenomenet shoqnore, jo identitet specifike qe mund te bëhen vazhdimësi e abuzimeve të tjera. Rasti i fundit me fëmijet 16-17 vjeçarë.

Të ngjashme