Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) të enjten ka mbajtur tryezën e diskutimit “Ngritja e çmimeve në treg dhe mbrojtja e konsumatorit”, raporton Ekonomia Online.
Dardan Abazi nga INDEP në fjalën hyrëse gjatë kësaj tryeze tha se përmes programit të tyre “Mbrojtja e konsumatorit” kanë dhënë një kontribut tejet të rëndësishëm mbi mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Abazi theksoi se ankesat e konsumatorëve janë të shumta për rritje të çmimeve të pa paralajmëruar nga tregtarët, siç u shpreh ai në disa raste ka edhe dyshime për këto shtrenjtimi me marrëveshje.
“Instituti INDEP e ka futur në programin e vet mbrojtjen e konsumatorëve, duke dhënë politika se si mund të ketë ndryshime duke shpresuar që qeveria të sjell draftin e parë për mbrojtjen e konsumatorëve”.
“Me kontributin tonë kemi përmirësuar këtë koncept deri në fazën e fundit, ku përgjatë dy viteve ka mijëra qytetarë që janë pjesë e këtij komuniteti duke e shndërruar në një pikë reference për brengat e tyre”.
Tutje Abazi shtoi se mbrojtja e konsumatorëve është në dobi të vendit, por edhe të bizneseve me qëllimin e vetëm që të rritet aktiviteti ekonomik.
“Mbrojtësit e konsumatorëve konsideron se mbrojtja është në dobi të vendit por edhe të bizneseve duke rritur kështu aktivitetin ekonomik përmes cilësisë. Ngritja e lartë e çmimeve ka bërë që konsumatorët të zgjedhin në mes të të ngrënit dhe situatës së vështirë të jetës së tyre, pasi shumë nga ta janë në nevojë”.
Zef Dedaj, zv.udhëheqës i Departamentit të Tregtisë në MINT, tha se rritja e çmimeve vjen direkt nga importimi nga vendet ndërkombëtare.
“Jemi të informuar të gjithë se kjo rritje nuk ka ardhur nga Kosova, por po importojmë inflacionin nga vendet ndërkombëtare, e rrjedhimisht nëse importojmë produkte industriale po importojmë rritje të çmimeve. Rritja e çmimeve të naftës ka ndikuar edhe në rritjen e shërbimeve të transportit”, tha Dedaj.
Tutje Dedaj tha se që nga janari kanë marrë 19 ankesa nga konsumatorët, prej tyre 4 për ngritjen e çmimeve.
“Nga janari kemi marrë 19 ankesa nga konsumatorët dhe vetëm në shtator 4 ankesa, që mund të them që janë pak”.
Sakip Imer, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, tha se ata mund të intervenojnë vetëm atëherë kur shtrembërohet konkurrenca e drejtë në treg.
“Pjesa e parë e ngritjes së çmimeve është e verifikuar edhe nga institucionet kompetente, sepse është një trend botëror. AKK-ja mund të intervenoj vetëm kur shtrembërohet apo cenohet konkurrenca e drejtë në treg”.
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se çështja e trajtimit të konsumatorëve do të duhej të ishte në fokus jo vetëm tash që ka ngritje të çmimeve të produkteve.
“Çështja e trajtimit të konsumatorëve në vendet e jashtme janë tema permanente dhe që përcjellën me politika më të mira. Kjo temë po ndikohet tash vetëm nga ngritja e çmimeve, por që duhet të ketë rëndësi më shumë”, tha Rukiqi.
“Inflacioni ka kundër-efekte sepse duhet të stabilizohen çmimet. Kosova nuk ka politikë aktive monetare sikurse vendet e tjera”.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve theksoi se krejt kjo situatë dhe ngritje e çmimeve është pa strategji, raporton EO.
“Aleanca Kosovare e Bizneseve e vlerëson se për qytetaret dhe bizneset kjo situatë është pa strategji. Sipas qeverisë faji është i bizneseve e që është e gabuar krejt kjo”.
Shahini tha se Kosova nuk ka asnjë produkt bazik që do të mund të plotësonte kërkesat elementare.
“Nëse marrim dhe shohin strukturën e produkteve bazike që e prek më së shumti konsumatorin mund të themi se Kosova me asnjë produkt bazik nuk i plotëson kërkesat bazike të konsumatorëve. Vetëm 5% Kosova e mbulon transportin dhe 95% varemi nga transporti i huaj”, theksoi tutje Shahini.
Ai rekomandon që Qeveria duhet të marrë disa masa si ndihmë për konsumatorët, duke përfshirë heqjen e TVSh-së.
“Me krejt këtë situatë Qeveria do duhej të merrte disa masa, si psh të heq TVSh-në për produktet bazike dhe nga ana tjetër të rrit mundësinë për bizneset prodhuese në vend”.