Bazuar në grafikën e KEDS-it, mesatarja e Kosovës shpenzojnë më shumë se 600 kilovatë rrymë gjatë muajit së paku gjatë gjysmës së vitit, përkatësisht duke përfshirë periudhën prej muajit nëntor deri në muajin prill.
Nisur nga ky fakt, rritja e energjisë elektrike për ata që e kalojnë shpenzimin e mbi 600 kilovatëve rrymë brenda muajit do të prekë një numër shumë të madh të ekonomive familjare.
Gati cilado familje që, në mungesë të mundësive tjera, detyrohet ta përdorë energjinë elektrike për ngrohje, e kalon 600 kilovatëshin brenda muajit, edhe nëse mundohet të kursejë maksimalisht. Në mesin e këtyre ekonomive familjare ka shumë të tilla me kushte jo të mira financiare, të cilat rrymën nuk e përdorin për luks, por për nevoja ekzistenciale, siç është ngrohja (sepse nuk kanë opsion tjetër për ngrohje).
Justifikimi se energjia elektrike në Kosovë është shumë lirë krahasuar edhe me rajonin është tërësisht i papranueshëm, sepse fatkeqësisht këtë rrymë më të lirën në rajon ne qytetarët e Kosovës e paguajmë me shëndetin tonë, me ajrin më të ndotur jo vetëm në rajon, por edhe në nivel botëror.
Prandaj, qeveria e Kosovës duhet të sigurohet që rritja e çmimit të energjisë elektrike të jetë sa më e vogël, sidomos për ekonomitë familjare me gjendje jo të mirë financiare. Dhe në këtë pikë qeveria nuk duhet ngatërruar e të mendojë se niveli i shpenzimit të energjisë elektrike është në proporcion të drejtë me nivelin e të ardhurave të ekonomive familjare në Kosovë, sepse këtë proporcion e prishë variabla “ngrohje me rrymë”, kur nuk ka alternativë tjetër më të mirë e më të lirë, madje në shumë raste nuk ka fare alternativë tjetër.
Kurse partitë opozitare parlamentare në Kosovë, mirë që po organizojnë konferenca për media e po thërrasin seanca të kuvendit për të diskutuar dhe kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, por besoj që më mirë do të ishte të organizonin protesta për këtë qëllim, në mënyrë që të gjithë ne qytetarët që jemi të pakënaqur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike të dalim dhe ta shprehim këtë mesazh pakënaqësie e kundërshtie para qeverisë.