Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se do ta reduktojnë ndriçimin publik në disa pjesë të kësaj komune si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Ai tha se është i panevojshëm shpenzimi i ndriçimit pas orës 24:00
“Nuk është lajm i mirë as për qytetarët e Vushtrrisë dhe as për neve shtrenjtimi i energjisë elektrike, duke pasur parasysh gjendjen sociale të një pjese të qytetarëve, pagën bazë të tyre e cila është shumë e ulët dhe çmimet e tjera të konsumit të përditshëm. Ngritja e çmimit të energjisë ka prodhuar efekte jo të mira tek qytetarët”, tha ai për Klankosova.tv.
“Kjo do të ngrish shpenzimet elektrike sidomos ndriçimin publik të cilin e paguan komuna, e që vitin e kaluar e ka pasur koston e 500 mijë eurove. Ne kemi menduar që në kuadër të planit tonë për vitin 2022, do të shkojmë me reduktimin e ndriçimit publik në pjesë të caktuar deri në ora 24:00, dhe pas kësaj ore të kemi një kursim sado të vogël. Do ta bëjmë edhe në fshatra dhe lagjet e tjera, sepse është i panevojshëm shpenzimin e ndriçimit pas orës 24:00”, tha Idrizi.