Shkollat publike në New York City, sistemi më i madh i shkollave në SHBA, do të shtyjnë fillimin e vitit shkollor për 11 ditë deri më 21 shtator, sipas një marrëveshje me unionet e edukimit ku është kërkuar për masa shtesë të sigurisë për koronavirus. Lajmin e ka konfirmuar kryebashkiaku i New York Cityt, Bill de Blasio, raporton agjencia Reuters.
Unionet, të udhëhequra nga Federata e Bashkuar e Mësuesve (UFT), kanë shprehur shqetësimin që qyteti po nxiton për hapjen e shkollave për fillimin e vitit të ri shkollor më 10 shtator, pa marrë masat adekuate për mbrojtje të mësuesve, nxënësve dhe stafit nga infeksioni.
“Ne jemi pajtuar që të sigurohemi që masat shëndetësore janë në vend, për të siguruar që ka kohë për përgatitje të përshtatshme për edukatorët tonë”, ka thënë De Blasio.
Presidenti i UFT-së, Michael Mulgrew, ka kërcënuar muajin e kaluar me bojkot, në rast se në shkolla nuk implementohen masa rigoroze për testim për COVID-19 dhe masa tjera të sigurisë.
Ai ka vlerësuar lartë marrëveshjen e arritur.
“Ekspertët tanë mjekësorë kanë vulosur këtë plan, dhe tash mund të themi se sistemi i shkollave publike në New York City, ka rregullat më agresive dhe mbrojtjen më të madhe nga çdo sistem i kollave në Amerikë”, ka thënë Mulgrew, unioni i të cilit përfaqëson 133 mijë mësuesë dhe punëtorë tjerë të edukimit