Me kërkesën e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është shtyer interpelanca për rastin e aktivistit Astrit Dehari, e cila ishte paraparë të mbahej sot. Të gjitha grupet parlamentare u pajtuan që kjo të shtyhet për një datë tjetër, me 71 vota.
Albulena Haxhiu, nga LVV kërkoi shtyerjen e interpelancës për vdekjen e Astrit Deharit që sipas saj ka ndodh gabime në procedimin nga Kryesia.
“Në mbledhjen e kryesisë kur është caktuar mbledhje, ka pas gabim procedura për shkak se interpelanca jonë që e kemi thirr me vdekjen e dhunshme të Astrit Deharit, seanca e sotme është vazhdim i 8 shkurtit, kryesia ka bërë një gabim, propozimi jonë është kjo pikë të mbahet nesër sepse kryesia ka bërë gabim në procedimin e saj”.
Ndërsa Kujtim Shala, nga LDK tha se mund të kërkohet të tërhiqet krejtësisht, por sipas tij, është në përputhje me rregulloren.
“Këta mund të kërkojnë të tërhiqet, kjo është në përputhje me rregulloren, kur kërkohet interpelanca dhe Qeveria nuk kthen përgjigje ajo duhet të hyn në seancën që po zhvillohet”.