Mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte paraparë që të nisë nga ora 16:00, por është marrë për shtyerjen e saj për gjysmë ore. Gazeta Blic merr vesh se anëtarëve të kryesisë u është dërguar mesazh telefonik që kjo mbledhje shtyhet për një gjysmë ore. Në këtë mbledhje do të merret vendim për votimin apo jo të Vjosa Osmanit – presidente.
Gazeta Blic ka folur gjatë ditës me anëtarin e kryesisë së LDK-së, Ekrem Hyseni. Ai ka thënë që menjëherë pas takimit do të bëhen të ditura këto qëndrime.
“Ne i kemi qëndrimet tona, por pas takimit do t’i bëjmë të ditura”, thotë Hyseni.
Kurse, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, ka folur rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit. Ai në një prononcim, ka komentuar situatën momentale brenda kryesisë, duke thënë se zgjedhja e presidentës mbetët kompetencë e deputetëve të LDK-së, nëse dëshirojnë të votojnë pro apo kundër. Muhaxheri ka theksuar se ai do të votojë Vjosa Osmanin për presidente.
“Unë jam për me votu kandidatën për presidente. Unë jam pro, tash i mbet në kompetencën e deputetëve se a dëshirojnë me votu pro apo kundër, për me qenë aty me ba kuorumin”, thotë Muhaxheri.
Lidhja Demokratike e Kosovës do ta mbledhë sot kryesinë e partisë derisa temë kryesore e takimit pritet të jetë çështja e presidentit, përkatësisht qëndrimi karshi kandidaturës së Vjosa Osmanit për këtë post. Lajmin e ka bërë të ditur deputeti dhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike, Anton Quni. Ai ka bërë të ditur se sot do të mblidhet kryesia dhe gjithashtu do të ketë planifikim për takimin e radhës edhe me Vjosa Osmanin.
“Është realizu një takim, LDK e ka përfaqësu kryetari dhe nënkryetari sipas njoftimeve do të ketë edhe një takim të radhës, sot e kemi një mbledhje të kryesisë, është temë që është ka debatohet brenda strukturës, qëllimi jonë është që cilido vendim që do e dimë do ta ruajmë unitetin e LDK-së të grupit parlamentar, sepse kemi pasur përvoja që kemi pas ndryshe. Nuk kemi ende një përgjigje definitive ende po e debatojmë”, ka thënë ai.
Takimi do të mbahet sot në ora 16:30 në selinë qëndrore të Lidhjes Demokratike në Prishtinë.