Shtyhet seanca në rastin “Pronto”, prokurorja Hajdari kërkon të ndërrohet gjyqtari Hoti

Prishtinë | 21 Dhj 2018 | 09:54 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me kërkesë të prokurores speciale Drita Hajdari është shtyrë seanca në rastin e njohur si “Pronto”, raporton Ekonomia Online.

Hajdari kërkon përjashtimin e gjykatësit Shashivar Hoti nga rasti “Pronto”. Sipas saj, seanca nuk mund të vazhdoje tutje derisa të mos vendoset për kërkesën e saj.

“Unë kam kërkuar që të shtyhet kjo seancë, për shkak se kundër jush kam paraqitur kërkesë për hetimin disiplinor për shkak të shkeljes së etikës për gjyqtarë”.

“Në një situatë të tillë konsideroj nuk është e mundur dhe nuk është etike të vazhdohet me këtë proces derisa nuk vendoset sipas kërkesës time apo derisa nuk caktohet ndonjë tjetër gjyqtar siç kam kërkuar nga kryetarja gjykatës”.

Gjyqtari Shashivar Hoti, tha se kërkesa aprovohet për shtytjen e seancës deri në një afat të pacaktuar.

“Kryetari i trupit gjykues duke respektuar dispozitat ligjore e aprovon kërkesën që seanca të shtyhet dhe për këtë kryetari i trupit gjykues prapë do të njoftoj. Ky gjykim shtyhet në afat të pacaktuar”.

Në këtë rast janë 11 të akuzuar. Muajin e kaluar është mbajtur shqyrtimi fillestar ku i akuzuari Adem Grabovci, Besim Beqaj  dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm.

Gjatë shqyrtimit fillestar aktakuza nuk është lexuar fare, kjo për shkak se të akuzuarit dhe avokatët kanë kërkuar që të mos lexohet aktakuza, edhe përkundër faktit se prokurorja speciale Drita Hajdari kërkoi që ta lexoj aktakuzën, Gjykatësi Shashivar Hoti kishte vendosur që me pajtimin e të akuzuarve, aktakuza të konsiderohej si e lexuar.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Të ngjashme