Shtyhet seanca për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës

Prishtinë | 04 Mar 2020 | 10:10 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Seanca për rigjykimin lidhur me sulmin e dyshuar në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku ishin të akuzuar Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, ka përfunduar pa u deklaruar të akuzuarit, raporton Ekonomia Online.

Seanca është shtyrë derisa të merret vendim nga kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, lidhur me kërkesën e avokatit Tomë Gashi.

Në seancën e parë të rigjykimit, mbrojtësi i të akuzuarit Frashër Krasniqi, avokati Tomë Gashi, ka kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Beqir Kalludra.

“Duke marrë parasysh që kemi qenë në kohë të gjatë në këtë gjykim dhe kemi vërejtur anshmëri dhe duke pasur parasysh aktgjykimin e kësaj gjykate, posaçërisht duke pasur parasysh arsyetimin e këtij gjykimi ku ndër tjera është shënuar në faqen 26, paragrafi 1, se kinse ekzistimi i faktit real instinktivisht u pranua”.

“…në këtë rast fitoi instikti natyror i së vërtetës në raport me vetëdijen dhe se vetëdija kriminale-djallëzore për një moment nuk ishte e kujdesshme”.

Ndërkaq, avokati Ramiz Krasniqi, që mbron të akuzuarin Atdhe Arifi ka thënë se nuk pajtohet me propozimin e avokatit Gashi, për përjashtimin e Beqir Kalludrës nga gjykimi i këtij rasti.

“Për faktin se nuk është aktgjykimi i parë që anulohet dhe unë kujtohej se ju në aktgjykimin e përpiluar në mënyrë të qartë keni shpjeguar provat shfajësuese për të akuzuarit e që janë një mori e tyre dhe të rrallë janë ata gjykatës që e bëjnë këtë. shtë një propozim i një kolegu ku ka ushtruar ankesë dhe ka thënë se të mbrojturit tim për terrorizëm t’i shqiptohet një dënim më i butë”, ka thënë avokati Krasniqi.

Ndërkaq, Beqir Kalludra ka thënë se dorëheqje prej rasteve të tij nuk do të jep kurrë.

“Ndërgjegjja ime nuk do të cenohet në asnjë njeri, nuk varet nga dëshira ime nëse do ta gjykojë këtë çështje apo jo, por unë nuk heq dorë nga asnjë lëndë për ta gjykuar. Vendimet e mia unë i mbroj me jetën time, por sa do të jenë të drejta dhe të padrejta i vlerëson shkalla e dytë. Meqenëse, është kërkuar përjashtimi im, shqyrtimi gjyqësor nuk mund të vazhdojë më tutje, derisa të vendoset nga kryetarja e Gjykatës lidhur me kërkesën e avokatit Gashi”, ka thënë Kalludra.

Në vitin 2017 të njëjtit ishin shpallur fajtor duke u dënuar me gjithsej 21 vite e 6 muaj burgim, Apeli mori për bazë ankesat duke e rikthyer lëndën në rigjykim.

Për të njëjtin rast ishte arrestuar edhe Astrit Dehari, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili më pas u gjet i vdekur në qelinë e tij në Prizren.

Të ngjashme