I akuzuari dhe i dëmtuari munguan në gjykimin për vrasjen në tentativë. I akuzuari për vrasje në tentativë Jeton Kurda nuk u paraqit në gjykatë, andaj seanca u shty për një datë tjetër.
Kurda mungoi ngase nuk u soll nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan ku po e vuan paraburgimin e caktuar.
Mungoi edhe i dëmtuarai Korab Gashi, ndërsa për shkak të mungesave të të akuzuarit dhe të dëmtuarit kryetari i trupit gjykues Vehbi Kashtanjeva shtyu seancën, pasi nuk kishte kushte për mbajtjen e saj.
“Mungon i akuzuari Jeton Kurda i cili është dashur të sillet nga Qendra e Paraburgimit në Lipjan, si dhe nuk është prezent as i dëmtuari Korab Gashi i cili është propozuar që të merret në pyetje në cilësinë e dëshmitarit edhe pse i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, andaj meqë se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor atëherë seanca shtyhet për datën 5 Shtator”, tha Kashtanjeva.
Kashtanjeva po ashtu deklaroi se për të akuzuarin Jeton Kurda dhe të dëmtuarin Korab Gashi, do të lëshohet urdhëresë për shoqërimin e tyre në gjykatë nga ana e policisë për seancës e radhës.
Sipas aktakuzës, Jeton Kurda në shtator të vitit 2016, në Prishtinë, përkatësisht në rr. “Luan Haradinaj”, përballë EULEX-it, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Korab Gashi nga Prishtina.
Në aktakuzë thuhet se për shkak të disa mosmarrëveshjeve që kishin pasur më parë, i akuzuari pasi e sheh të dëmtuarin në vendin kritik e ndal veturën e tij, del prej saj dhe e thërret të dëmtuarin i cili ishte duke e kaluar rrugën.
Pasi i afrohet, pa ndonjë paralajmërim, e nxjerr armën dhe shtin disa herë në drejtim të Gashit, i cili arrin të ikë duke iu shmangur plumbave, ndërsa i pandehuri me veturën e tij largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur.
Me këtë, sipas aktakuzës, Jeton Kurda ngarkohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.
I njëjti akuzohet se ka kryer edhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Jeton Kurda duke e përdorur armën me dashje në vend publik ku ka pasur shumë njerëz, ka vënë në rrezik jetën e shumë prej tyre.
Madje, nga plumbat e shkrepur nga i pandehuri është goditur vetura e të dëmtuarit Edmond Azemi, i cili ishte duke kaluar rastësisht me familjen e tij në atë pjesë të rrugës.