Shtyhet sërish gjykimi për drejtorin e shkollës në Prishtinë

Prishtinë | 13 Tet 2016 | 18:16 | Nga

Është shtyrë seanca e gjykimit të Shemsi Lushakut ish-drejtorit të Shkollës Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë

Seanca e gjykimit të Shemsi Lushakut është shtyrë për mungesë të avokatit të tij Ramë Gashi.

Lushaku po gjykohet për shpërdorim detyre, ndërsa në seancën e sotme kryetari i trupit gjykues i kërkoi të akuzuarit që të kontaktojë me avokatin e tij për ta kuptuar arsyen e mungesës, duke ia dhënë Shemsi Lushakut 10 minuta kohë për bisedë me Gashin.

Pasi Lushaku e përfundoi bisedën, kërkoi shtyrjen e seancës duke treguar se avokati i tij nuk mund të vijë në seancë.

Në këto kushte, pas pauzës prej 10 minutash kryetari i trupit gjykues vendosi që seanca e radhës të mbahet më 19 tetor 2016.

Ish-drejtori i Shkollës Teknike në seancat e kaluara është deklaruar i pafajshëm.

Shemsi Lushaku akuzohet se si person zyrtar gjatë periudhës kohore 2010-2013 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka përvetësuar më shumë se 8,600 euro.

Në këtë rast shtyrje ka pasur edhe më herët.

Në qershor pala e dëmtuar- përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, nuk ishte në gjendje të jepte dëshminë me arsyetimin se nuk i posedonte asnjë nga shkresat e lëndës, për çka seanca ishte shtyrë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme