Deputetët britanikë vendosën sot të shtyjnë vendimin për marrëveshjen për Brexit, të arritur mes Londrës dhe Brukselit, çka do ta detyrojë kryeministrin britanik, Boris Johnson t’i kërkojë BE-së një shtyrje të re.
Amendamenti i paraqitur nga deputeti Oliver Letwin, u miratua me 322 vota për dhe 306 kundër.
Ligjvënësit britanikë të Partisë së Bashkimit Demokratik votuan amandamentin e quajtur Letwin, duke hedhur poshtë propozimet e kryeministrit Boris Johnson.
Kjo parti mbështet daljen nga Bashkimi Evropian, por nuk qëndron me propozimet e kryeministrit Johnson për Irlandën veriore.
Ligjvënësit britanikë u mblodhën të shtunën ku pritej që të votohej marrëveshja e arritur mes Bashkimit Evropian dhe kryeministrit Johnson, por votimi u shty me anë të këtij amandamenti.
Ky amandament e ndalon miratimin e marrëveshjes derisa i tërë legjislacioni të miratohet në Parlament – veprim ky i cili automatikisht e obligon kryeministrin të kërkojë shtyrjen e datës deri më 31 janar.
Por, kryeministri Johnson tha se nuk do të kërkojë nga BE-ja shtyrje të afatit dhe se do të hedh në votim propozimin sërish javën e ardhshme.
Deputetë të Bashkimit Demokratik kanë deklaruar se “ne do të dështojmë në përgjegjësitë tona nëse nuk përdorim çdo strategji” për të siguruar këto ndryshime në marrëveshje.