Është shtyrë për një seancë tjetër shqyrtimi i dytë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje kishte pakënaqësi për procedurat teknike të seancës, në kohën kur u shqyrtua kjo rregullore, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se draft-rregullorja është shumë më e avancuar se ajo aktuale.
“Rregullorja e Kuvendit ka qenë në proces të ndryshimit që dy legjislatura. Ne kemi formuar grupin punës për hartimin e rregullores së kuvendit. Grupi punues duke analizuar rregulloren dhe duke marr për bazë raportin e gjykatës kushtetuese, ne kemi nja draf-rregullore shumë më të avancuar se rregullorja aktuale. Kjo avancon rolin e kuvendit dhe çështjet e integrimit evropian. Ne kemi arritur të përafrojmë qëllimet e secilit grup. Çështjet që nuk kemi pas pajtim janë përzgjedhjet e nënkryetarëve të kuvendit. Kjo rregullore përfshin edhe pozitën edhe opozitë, u shpreh Beqa.
Në seancë kishte pakënaqësi nga Vetëvendosja. Deputetja e kësaj partie, e cila udhëheqë Komisionin për Legjislacion ka kundërshtuar kreun e Kuvendit, Kadri Veselin, për mosdhënien e fjalës.
Ajo tha se Veseli i dha fjalën Beqës, kur në seancë është e pranishme vetë ajo, si kryetare e këtij komisioni.
“Në kohën kur kjo rregullore është proceduar në seancë ka qenë në qershorin e vitit e kaluar. Nëse unë jam këtu ti nuk mundësh me më anashkalua, mu dhe me ja jap fjalën Hajdarit”, tha Haxhiu, raporton EO.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se ekziston nënshkrim ku Haxhiu, i ka dhënë autorizim Beqajt për ta paraqitur këtë raport
“Shpesh herë në kuvend nuk matet fjala çka del. Shpesh herë jam në pozicion të rëndë. Administrata i referohet rregullave të Kuvendit. Kjo sjellje e paskrupullt dhe e pa dinjitetshme. Unë e kam një dokument të shkruar ku Albulena e autorizon Hajdar Beqajn”, tha Veseli.
Albulena Haxhiu ka kërkuar fjalën mirëpo nuk ka hasur në mirëkuptim nga kryesuesi i Kuvendit, kështu ajo ka thënë se Vetëvendosje nuk do ta votoj.