Fadil Hasa, mjeshtri i humorit shqiptar është shuar në moshën 78-të vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Humbja e tij është një humbje për humorin shqiptar, pasi Hasa është një nga kontribuuesit e çmuar të kësaj gjinie.
I lindur në Durrës më 8 prill të vitit 1940-të aktori nuk e la asnjëherë qytetin e lindjes, duke nisur fillimisht karrierën në Estradën e qytetit më 1974-trën si aktor profesionist, për të vijuar më pas në skena të ndryshme të vendit. Rolet e tij kanë shënjuar historinë e humorit shqiptar, me karaktere e personazhe që kujtohen ende nga spektatorët.
Janë shumë role në të cilat Hasa ka spikatur si “Dajrja”, krah kolegut Muharrem Hoxha, “Sheqeri”, “Tekniku i lavatriçes”, apo copëza humori, të cilat shfaqeshin për natën e fundvitit në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar, mbeten edhe sot, si perla të humorit shqiptar. Por karriera e tij vijoi e në kinematografi.
Ai ka luajtur edhe në filma si : Kronikë provinciale (2009), Mao Ce Dun (2007) roli i Hekuran Romalinit dhe Zëvendësi i grave (1987) roli i Shabanit. Në edicionin e 13 të Festivalit Mbarëkombëtar të filmit, aktorit Fadil Hasa ju dha çmimi i Aktorit më të Mirë, për rolin e luajtur në filmin “Mao Ce Dun”.
“Interpretoja personazhin e Hekuranit, ka qenë një film i cili u mirëprit nga publiku. Me këtë film unë kam një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse në pesë festivale ndërkombëtare të filmit, sot po e them për herë të parë, 5 herë jam nominuar për çmimin si aktori më i mirë, në festivalin e filmit në Moskë, Egjipt, etj”, shprehej ai për këtë rol.
Partnerja e tij nëpër role ishte aktorja Aishe Stari për më shumë se 25 vjet. Vetë aktori quante rolet e tij më të mira ato që kanë mbetur në kujtesën e publikut, me batutat apo personazhet sheqer, sheqer-kryp, kryp, apo personazhi në numrat e humorit “Dajrja dhe parja”, etj.
Në intervista të dhëna vitet e fundit aktori shprehte shqetësimin për gjendjen e estradave shqiptare.
“Gjendja e estradave me atë që unë konstatoj në qytetin tim të Durrësit, por kështu është në të gjithë Shqipërinë është e rrënuar, përderisa prej tyre shteti është tërhequr, i ka lënë në dorë të bashkive. Ky është gabim i madh për mua, sepse është tjetër interes, bëhen shfaqje nëpër teatro, bëhen në sheshe ku nuk merret vesh asgjë, dhe kur ke një projekt estrade thonë që kanë mbaruar lekët. Kjo më duket se është sëmundje e të gjithë estradave që janë sot”, shprehej aktori pak kohë më parë.
Duke folur për Estradën e Durrësit ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës ai e quante fat faktin që në këtë estradë ishin dy regjisorët dhe shkrimtarët më të mirë në Shqipëri Gjergj Vlashi dhe Haxhi Rama. I pyetur për pengjet aktori është shprehur se “nuk ka pengje”.
“Jo nuk kam pengje. Unë kam qenë një nga kryesorët e trupës së Estradës së Durrësit që jam respektuar dhe nderuar me çmime. Ato që unë kam dëshiruar mi kanë dhënë”, është shprehur ai.
Humbja e Fadil Hasës një aktori me vlera është një humbje për artin tonë. Nesër, në orën 10:00 do të bëhen homazhe në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”.