Aktori Vinny Vella ka humbur betejën e tij me kancerin e mëlçisë në moshën 72-vjeçare.
Ylli i “Casino” vdiq të mërkurën, sipas USA Today.
“Me pikëllim në zemër njoftojmë se Vinny Vella ka vdekur dhe jam i sigurt se askush nuk është më i pikëlluar se ai vetë”, thuhet në një mesazh në “Facebook”. “Vinny e donte jetën nga familja e tij e deri tek miqtë dhe fansat e tij. Ai ishte një nga aktorët më qesharakë dhe më të dashur që e kanë zbukuruar ndonjëherë ekranin. Vinny gjithashtu e kishte integritetin dhe krenarinë që rrallë shihej tek të tjerët… “.
Vella njihet për rolin e tij si Artie Piscano në filmin e Martin Scorsese “Casino” dhe gjithashtu u paraqit edhe në filmat “Donnie Brasco” dhe “Analyze That”. Përveç roleve të tij filmike, ai gjithashtu luajti në disa seriale televizive, duke përfshirë “The Sopranos” dhe “Law & Order”.